SHBA ndërmerr sulme të reja ajrore ndaj Iranit, tensionet arrijnë nivel të lartë
Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë të përshkallëzohen me ritme të shpejta.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se Komandanti i Përgjithshëm ka urdhëruar “sulme shtesë vetëmbrojtëse”, të cilat kanë në shënjestër disa lokacione brenda territorit iranian.
Sipas CENTCOM-it, operacionet ushtarake janë kryer në përgjigje të asaj që u cilësua si “agresion i pajustifikuar dhe i vazhdueshëm nga ana e Iranit”.
Raportimet nga terreni bëjnë të ditur se shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në zonat e Sirikut, Ishullit Qeshm, Minab dhe Isfahanit, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet mes dy vendeve.