Në kërkim për ndërtimet në Ksamil, vetëdorëzohet ish oficeri i krimeve (EMRI)
Dorëzohet në Komisariatin e Policisë së Sarandës, ish-oficeri i policisë Irakli Koçiaj.
Koçiaj ish-oficer i krimeve për zonën e Ksamilit, ishte në kërkim prej 25 majit pas urdhër arrestit të Prokurorisë Sarandë për “shpërdorim detyre”.
Koçiaj dyshohet për favorizim të ndërtimeve pa leje në Ksamil. Deri tani janë arrestuar 8 ish - efektivë të policisë së Sarandës me këtë akuzë. Dy prej tyre, përfshirë ish - Shefin e Komisariatit, ndodhen në burg me afat 30 ditor.
Pritet që për pak ditë, atyre t’u rivlerësohet masa e sigurimit, ndërsa 5 të tjerë ndodhen në “Arrest shtëpie”, ndërsa Koçiaj pritet të dalë para Gjykatës në dy ditët e ardhshme.
Aksioni kundër ndërtimeve pa leje në bregdetin e Sarandës nisi me shembjen e ‘Copacabana’. Drejtues të komisariatit të Sarandës dyshohet se kanë lejuar zhvillimin e aktivitetit të këtij biznesi si dhe investimin pa leje, të dyshuar me prejardhje nga grupe kriminale, në këmbim të ryshfeteve. Hetimet zbuluan përfshirjen e shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari si edhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj.
Me akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra që dyshohet se janë kryer edhe në raste të tjera, Gjykata e Sarandës caktoi disa ditë më parë, 30 ditë burg për shefin e komisariatit Gëzim Bashllari dhe inspektorin Robert Çullaj. Për dy inspektorët e tjerë të policisë, Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa “arrest në shtëpi”.