Alarm në prag të Botërorit 2026, anulohet miqësorja Angli–Kosta Rika

Vetëm pak orë para fillimit të Kupës së Botës 2026, kushtet atmosferike kanë ngritur shqetësime serioze për organizatorët. Ndeshja miqësore e fundit përgatitore mes Anglisë dhe Kosta Rikës është anuluar për shkak të një stuhie të fortë që goditi qytetin e Orlandos.

Shiu i rrëmbyeshëm dhe aktiviteti i dendur i rrufeve bënë që fusha e stadiumit ‘Inter&Co’ të përmbytej rëndë pak para fillimit të takimit. Për këtë arsye, autoritetet vendosën të mos e zhvillonin ndeshjen.

Federata Angleze e Futbollit konfirmoi vendimin me një njoftim zyrtar: “Ndeshja e sotme kundër Kosta Rikës është shtyrë për shkak të kushteve atmosferike”.

Kjo situatë ka rikthyer në vëmendje problemet që moti mund të shkaktojë gjatë Botërorit. Edhe gjatë Kupa e Botës për Klube 2025 në Shtetet e Bashkuara, vonesat dhe ndërprerjet për shkak të stuhive ishin një fenomen i shpeshtë.

Sipas rregullave të sigurisë në SHBA, tifozët mund të lejohen të qëndrojnë në tribuna vetëm 30 minuta pas rrufesë së fundit të dukshme. Ndërkohë, rregulloret e FIFA-s parashikojnë se në rast të shtyrjes së fillimit të një ndeshjeje nuk ekziston një kufi maksimal pritjeje, çka do të thotë se ndeshjet mund të vonohen për një kohë të pacaktuar derisa kushtet të konsiderohen të sigurta.

Me Botërorin 2026 që nis zyrtarisht nesër, parashikimet meteorologjike po ndiqen me vëmendje të madhe nga organizatorët, pasi kushtet e paqëndrueshme të motit mund të ndikojnë në zhvillimin normal të disa ndeshjeve gjatë turneut.