Trump: I goditëm fort dje dhe do t’i godasim fort përsëri sot! Reagon Irani

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin “fort” edhe këtë të mërkurë, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme gjatë natës.

“I goditëm fort dje dhe do t’i godasim fort përsëri sot”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale. Ai përsëriti gjithashtu thirrjen që Irani “të nënshkruajë një marrëveshje”.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, reagoi përmes një postimi në platformën X pas deklaratave të Trump, duke thënë se Irani “do të qëndrojë i palëkundur përballë çdo presioni apo kërcënimi”.

Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ndaj Iranit të martën, pasi Trump deklaroi se Irani kishte rrëzuar një helikopter të Ushtrisë Amerikane.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se iu kundërpërgjigj me sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

Më herët gjatë së mërkurës, Trump shkroi në rrjetin e tij social:

“Kanë humbur shumë kohë duke negociuar një marrëveshje që do të kishte qenë shumë e favorshme për ta, tani do të duhet të paguajnë çmimin!!!”

Ai shtoi se Irani është “mposhtur plotësisht” në aspektin ushtarak.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqai, akuzoi SHBA-në se po “dëmton procesin diplomatik përmes mesazheve kontradiktore që dërgon, ndryshimeve të përsëritura të qëndrimeve dhe kërkesave të saj, si dhe, mbi të gjitha, përmes shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit”. 

Ai tha se Irani duhet të rishqyrtojë situatën, duke shtuar se çdo proces diplomatik kërkon një minimum stabiliteti.

Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se kishte goditur një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, e cila sipas saj “kishte shkelur bllokadën në fuqi duke tentuar të transportonte naftë nga Irani”.

Qeveria indiane bëri të ditur se tre marinarë indianë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 21 anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar pas një sulmi ndaj anijes Settebello pranë brigjeve të Omanit.

Shtetet e Bashkuara po zbatojnë një bllokadë ndaj porteve iraniane, pasi ngushtica strategjike e Hormuzit u mbyll praktikisht nga Irani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Teheranit në muajin shkurt.

Settebello është anija e tetë ndaj së cilës SHBA-ja ka hapur zjarr që nga vendosja e kësaj bllokade. 

Sulmet amerikane të së martës ndaj Iranit kishin në shënjestër sistemet iraniane të mbrojtjes, stacionet e kontrollit tokësor dhe radarët pranë Ngushticës së Hormuzit, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane goditën dy rezervuarë uji në zonë, duke lënë mijëra banorë të qytetit portual Sirik, në jug të vendit, pa ujë të pijshëm për 12 orë.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte ndërmarrë sulme ndaj 21 objektivave në bazat amerikane në rajon, përfshirë një bazë në Bahrein dhe një tjetër në Jordani. Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit tha se kishte ndërhyrë për të zmbrapsur një sulm tjetër.

Agjencia Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan, raportoi të mërkurën se pothuajse të gjithë raketat dhe dronët iranianë të lëshuar ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme u interceptuan, pa pasur raportime për viktima.

Të martën, CENTCOM i cilësoi sulmet ndaj Iranit si “një përgjigje proporcionale” ndaj rrëzimit të një helikopteri Apache të hënën.

Më herët, Donald Trump kishte deklaruar në rrjetin social Truth Social se helikopteri ishte “rrëzuar” teksa patrullonte në Ngushticën e Hormuzit. Sipas Fox News, Trump tha të mërkurën se një dron iranian kishte goditur helikopterin pa shpërthyer, ndërsa ai po fluturonte “shumë ulët”.

Dy anëtarët e ekuipazhit mbijetuan dhe u shpëtuan nga një dron detar amerikan.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr News Agency raportoi se Irani nuk ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e mjetit fluturues.

Lufta nisi më 28 shkurt, pasi SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, gjatë të cilave u vra udhëheqësi suprem i vendit.

Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik. Përleshjet u përshkallëzuan me shpejtësi në të gjithë rajonin, ndërsa në mars në konflikt u përfshi edhe Libani.

Në muajin prill, SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një armëpushim, i cili fillimisht ishte parashikuar të zgjaste dy javë.

Që prej asaj kohe, të dyja palët kanë shkëmbyer herë pas here sulme të kufizuara, pa iu rikthyer përplasjeve të plota ushtarake.

Ndërkohë, përfaqësuesit e vendeve përkatëse kanë zhvilluar negociata të vështira, përfshirë edhe një takim në Pakistan, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

Gjatë deklaratës së tij për mediat të mërkurën, Donald Trump tha se marrëveshja që po i ofrohet Iranit “nuk i jep atij të drejtën për të pasur armë bërthamore; në fakt, e ndalon plotësisht që të ketë ndonjëherë armë bërthamore”.

Po ashtu, të mërkurën, IAEA, agjencia e OKB-së për mbikëqyrjen bërthamore, miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA-ja, e cila i kërkon Iranit të japë detaje mbi rezervat e uraniumit dhe objektet e prodhimit që disponon.

Misioni i Iranit pranë OKB-së në Vienna, ku ndodhet selia e IAEA-s, e kritikoi vendimin, duke deklaruar se “rezoluta shpreh në mënyrë hipokrite mbështetje për një zgjidhje diplomatike, ndërkohë që SHBA-ja vazhdon të kryejë akte të tjera agresioni, përfshirë edhe ndaj infrastrukturës civile iraniane”.

Programi bërthamor i Iranit mbetet në qendër të negociatave mes Teheranit, SHBA-së dhe Izraelit. Uashingtoni dhe Tel Avivi kanë udhëhequr prej vitesh kundërshtimin perëndimor ndaj këtij programi, duke pretenduar se Irani synon të zhvillojë një bombë bërthamore.

Nga ana e tij, Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime tërësisht paqësore dhe mohon se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. /BBC/