Shoqëria civile reagon për sulmet e Ardit Bidos ndaj drejtoreshës së BIRN
Organizatat e shoqërisë civile i kanë kërkuar deputetit të Partisë Socialiste, Ardit Bido të tërheqë deklaratat ndaj drejtoreshës së BIRN Albania, Kristina Voko, në rrjetet sociale.
"Kjo është drejtoresha e BIRN Albania. Kristina, greke, promotorja kryesore e sulmit ndaj projektit të Zvërnecit, pasdite shan projektin e paradite na kërkon që mediat shtetërore dhe private shqiptare të japin emisione në greqisht. Për këdo që nuk e di e për këdo që, si unë, beson te mbrojtja e të drejtave të pakicave: nuk ka ASNJË detyrim nga legjislacioni kombëtar a ndërkombëtar për programe në gjuhën e pakicave nga televizionet kombëtare jopublike. Ka detyrim vetëm për RTSH, e unë jam krenar që ky vend nga viti 1946 në Radio Gjirokastra e nga viti 2014 në RTSH2 ka programe për pakicat. BIRN, që “mbron gazetarinë”, hallin nuk e ka te 1000 hallet e gazetarëve, por te ëndrrat e Kristinës për të pasur gjuhët e pakicave, veçanërisht të asaj më të madhe (greqishten) kudo e ngado!
Sa keni këta në krah, më keni KUNDËR!" ka shkruar Bido në rrjetet sociale në një mesazh që e shoqëron me një video ku Kristina Voko kërkon transmetimet në gjuhën greke në televizionin publik shqiptar.
Për këtë mesazh të publikuar në rrjetet sociale, organizatat e shoqërisë civile shprehin shqetësim të thellë për postimin publik të deputetit Ardit Bido ndaj Kristina Voko, Drejtore Ekzekutive e BIRN Albania.
Ky postim përbën linçim publik ndaj drejtueses së një organizate të pavarur që punon në fushën e medias, transparencës dhe llogaridhënies publike. Përmes shtrembërimit të një diskutimi të zhvilluar në Kuvend, postimi e paraqet një ndërhyrje legjitime dhe të bazuar në ligj si akt të dyshimtë, antikombëtar apo të lidhur me interesa të huaja.
Më 8 qershor, në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, gjatë dëgjesës me organizatat e shoqërisë civile mbi raportet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë AMA-n dhe RTSH-në, Kristina Voko ngriti një çështje të qartë ligjore:[1] detyrimin e transmetuesit publik për të ofruar informim dhe përmbajtje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë pakicat kombëtare dhe personat me aftësi ndryshe.
Kjo është një çështje e njohur nga kuadri ligjor shqiptar dhe lidhet drejtpërdrejt me misionin publik të RTSH-së. Pakicat kombëtare kanë të drejtë të informohen në gjuhën e tyre dhe RTSH-ja ka detyrim t’i shërbejë gjithë publikut, jo vetëm shumicës. Prandaj, paraqitja e kësaj kërkese si kërcënim ndaj interesit kombëtar është e pasaktë, e rrezikshme dhe diskriminuese.
Edhe më shqetësuese është mënyra se si postimi përdor përkatësinë etnike si mjet delegjitimimi. Në një shoqëri demokratike, askush nuk mund të sulmohet apo diskreditohet për shkak të origjinës, gjuhës apo përkatësisë etnike. Përdorimi i identitetit etnik për të goditur një përfaqësuese të shoqërisë civile dhe për ta paraqitur atë si “të huaj” apo “kundër interesit kombëtar” është i papranueshëm.
Ky rast ndodh në një kontekst veçanërisht të ndjeshëm, kur qytetarë, aktivistë, media dhe organizata të shoqërisë civile po ngrenë shqetësime për projektin e Zvërnecit dhe zonën Vjosë-Nartë, në kuadër të mobilizimit qytetar të njohur si “Flamingo Revolution”. Këto shqetësime lidhen me mbrojtjen e mjedisit, transparencën, konsultimin publik, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit.
Në këtë kontekst, përpjekja për t’i paraqitur zërat kritikë si “armiq”, “të huaj” apo të motivuar nga përkatësi etnike synon të zhvendosë vëmendjen nga çështjet reale të interesit publik dhe të krijojë klimë intimidimi ndaj shoqërisë civile, medias dhe qytetarëve që marrin pjesë në debat publik.
Shoqëria civile ka të drejtë dhe detyrim të marrë pjesë në dëgjesa parlamentare, të ngrejë shqetësime ligjore dhe institucionale, si dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet publike. Pjesëmarrja në një proces parlamentar nuk mund të përdoret më pas si material për sulme personale, etnike apo për linçim publik nga përfaqësues të zgjedhur.
Sulme të kësaj natyre nuk mbeten pa pasoja. Kur një përfaqësuese e shoqërisë civile shënjestrohet publikisht nga një zyrtar i zgjedhur për shkak të origjinës apo qëndrimit të saj kritik, mesazhi që përcillet shkon përtej rastit individual: ai u thotë të gjithë atyre që ngrenë zërin, veçanërisht grave që drejtojnë organizata të pavarura, gazetareve dhe aktivisteve se pjesëmarrja në debatin publik mund të kthehet kundër tyre në formën e linçimit. Ky efekt frikësues dëmton vetë themelin e një shoqërie demokratike, ku kritika dhe llogaridhënia duhet të jenë të mundura pa frikë nga hakmarrja.
I bëjmë thirrje deputetit Ardit Bido të tërheqë postimin dhe të kërkojë ndjesë publike.
I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarit të Kuvendit dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të distancohen qartë nga çdo gjuhë që shënjestron përfaqësues të shoqërisë civile, medias apo qytetarë mbi bazë etnie, gjuhe, origjine apo qëndrimi kritik.
I bëjmë thirrje Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvendin e Shqipërisë të shqyrtojë në Kuvendin e Shqipërisë të shqyrtojnë këtë rast, pasi përdorimi i një dëgjese parlamentare për linçim publik dhe shënjestrim etnik cenon standardet e sjelljes së deputetëve dhe mund të dekurajojë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset parlamentare.
I bëjmë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të vlerësojë këtë rast në kuadër të kompetencave të tij ligjore, duke marrë në konsideratë përdorimin e përkatësisë etnike si mjet shënjestrimi, delegjitimimi dhe linçimi publik nga një përfaqësues i zgjedhur.
Organizatat Nënshkruese
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
Fondacioni Së Bashku
Qëndresa Qytetare
Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
Citizens.al
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
Faktoje.al
Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive (INAC)
Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AëA)
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners)
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
Qendra Amfora
Civil Rights Defenders Shqipëri
Lëvizja Europiane Shqipëri (EMA)
Akademia e Studimeve Politike (ASP)
Qendra “Aleanca Gjinore per Zhvillim” (GADC)
Instituti i Studimeve Politike (ISP)
Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm — All Green Centre
Shoqata Together for Life (TFL)
Qendra ResPublica
Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI
Qendra “Education for Change”
Shoqata “Përtej Barrierave”
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (ADRF)
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
Të Ndryshem & Të Barabartë
Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri
Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AëEN)
Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF)./ Faktoje.