Fanellë me mesazh politik, FIFA detyron Haitin të ndryshojë uniformën
Haiti është detyruar të ndryshojë fanellën e saj zyrtare për Kupën e Botës 2026, pas një ndërhyrjeje të FIFA-s, e cila ka vlerësuar se dizajni aktual përmbante mesazhe me karakter politik.
Sipas kompanisë prodhuese të uniformave, Saeta, disa elemente të fanellës janë konsideruar të papërshtatshme dhe mund të interpretohen si mesazh politik, ndaj është kërkuar modifikimi i saj përpara turneut.
Kontroversia lidhet me praninë në fanellë të një ilustrimi që i referohet Betejës së Vertières, e zhvilluar në vitin 1803, ku Haiti fitoi ndaj forcave të Napoleonit. Kjo betejë shënoi fundin e dominimit kolonial francez dhe hapi rrugën për shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 1804.
Haiti u bë kështu shteti i parë i pavarur në Karaibe, vendi i parë në kontinentin amerikan që shfuqizoi skllavërinë dhe i vetmi në histori që lindi si rezultat i një revolucioni të udhëhequr nga skllevërit.
Megjithatë, prodhuesi i fanellës nuk ka bërë të ditur saktësisht cilat elemente kanë shkaktuar ndërhyrjen e FIFA-s dhe as cilat ndryshime janë bërë në versionin final të uniformës.
Vendimi ka ngjallur debat, pasi përpjekja e Haitit për të shprehur identitetin dhe historinë e saj kombëtare në skenën botërore vjen pas 52 vitesh mungesë në Kupën e Botës, por është përballur me kundërshtimin e organit më të lartë të futbollit ndërkombëtar.