Chelsea zyrtarizon largimet, mes tyre edhe vëllai i Michael Olise
Chelsea ka bërë të ditur listën e lojtarëve që do të largohen nga klubi në fund të sezonit 2025-26, pasi u skadojnë kontratat më 30 qershor. Në total, katër futbollistë do të mbyllin aventurën e tyre në “Stamford Bridge”.
Një nga emrat që do të largohet është mbrojtësi Brodi Hughes. I rritur në akademinë e Chelsea-t, ai iu bashkua klubit që në moshën 8-vjeçare dhe kaloi plot 13 vite në sistemin e të rinjve. Në sezonin e fundit, ai ishte i huazuar tek AFC Wimbledon në League One.
Largimi tjetër i rëndësishëm është ai i Richard Olise, i cili ka kaluar një dekadë të plotë në akademinë e londinezëve. Mesfushori ofensiv, vëllai i Michael Olise, ka pasur edhe momentin e tij të veçantë duke u grumbulluar me ekipin e parë në ndeshjen e Conference League ndaj Astana në sezonin 2024-25.
Nga klubi largohet gjithashtu edhe Samuel Rak-Sakyi, mesfushor i dalë po nga akademia e Chelsea-t. Ai ka regjistruar katër paraqitje me ekipin e parë, duke debutuar në Conference League ndaj FC Noah, ku më pas ka shtuar edhe tre ndeshje të tjera në këtë kompeticion.
Emri i katërt në listën e largimeve është Jimi Tauriainen. I transferuar në Londër në vitin 2020, ai ka qenë pjesë e skuadrës edhe në momente të rëndësishme, përfshirë finalen e Carabao Cup 2024 ndaj Liverpoolit. Më pas ka debutuar me ekipin e parë në FA Cup kundër Leeds United, si dhe në Premier League në përballjen me Tottenham Hotspur.
Chelsea ka falënderuar të gjithë lojtarët që po largohen për kontributin e dhënë ndër vite, duke u uruar suksese në hapat e ardhshëm të karrierës së tyre profesionale.