VIDEO/ Tela: Protesta që tejkaloi Zvërnecin dhe sfidoi narrativën e Ramës, qytetarët i kthyen shpinën propagandës
Në një analizë të drejtpërdrejtë në studion e emisionit ‘Task Force’ në SYRI TV me moderatoren Sonila Meço, gazetari Andi Tela ka deklaruar se protesta e ditëve të fundit ka kaluar çdo pritshmëri fillestare dhe është shndërruar në një reagim masiv qytetar, shumë më i gjerë se çështja konkrete e Zvërneci.
Sipas Telës, ndonëse në fillim protesta kishte një fokus të qartë ndaj projektit në Zvërnec, me kalimin e ditëve ajo është ‘sfumuar në kuptimin tematik’, duke u shndërruar në një platformë ku, sipas tij, qytetarët artikulojnë një sërë pakënaqësish të akumuluara në realitetin shqiptar.
Ai theksoi se pjesëmarrja e gjerë nuk është thjesht numerike, por shoqërohet me një sjellje qytetare të pazakontë për standardet e protestave të mëparshme në Shqipëri. Sipas tij, gjatë 11 ditëve të protestës nuk janë shënuar incidente të rënda, përveç një përplasjeje fillestare me policinë në ditët e para.
‘Është e vërtetë kjo që zoti Berisha sot edhe dje e deklaroi që nuk duhet të bëjnë pjesë e protestës, është pak e vonuar, po të themi realisht.
Ka pasur dhe eksponentë të PD-së që i janë kundërvënë protestës, por ka qenë kjo amullia e dy-tre ditëve të para, që eksponentë të PD-së qenë edhe të protestës në tërësi.
Por ditën e parë, ditën e dytë protesta ka qenë e pastër për Zvërnecin, kundër projektit të Zvërnecit. Çdo ditë që ka kaluar më tepër, ajo pjesa e Zvërnecit është sfumuar sepse protesta ka marrë një masivitet të tillë dhe njerëzit që marrin pjesë në të, kanë halle nga më të ndryshmet, saqë çdo gjë që artikulohet atje në protestë është pjesë e realitetit shqiptar.
Pastaj pse themi ne është protesta më e bukur? Ne kemi parë shumë protesta në Shqipëri dhe në shumicën e rasteve, edhe protestat mbi të gjitha të organizuara nga partitë, krijojnë një lloj reagimi qytetar te dikush që i prishet trafiku, që i prishen rutinat ditore. Kemi pasur incidente nga më të ndryshmet.
Kjo u bën 11 ditë protestë dhe ti nuk ke parë incidentin më të vogël, përjashto atë të ditës së tretë kur iu kundërvunë policisë, pra testuan se sa do t'i përballeshin policisë dhe e kaluan jashtëzakonisht mirë.
Por fakti që ti në asnjë moment nuk sheh në asnjë pikë semafori të trafikut që dikush të reagojë kundra protestës, iu binte borive të makinave dhe mbështesnin njerëzit dalin ballkoneve dhe i mbështesin.
Pra, edhe kur Edi Rama thotë që unë kam atë 800 mijëshin tim dhe nuk e di sa jan përballë, duhet të kuptojë që vetëm kjo mënyrë reagimi qytetare ndaj protestës do të thotë që numrat e tyre janë realisht shumë, shumë më të mëdhenj sesa ata që përpiqen t'i numërojnë se sa zbresin në bulevard.
Ai bulevard është shumë i gjerë, është shumë i madh dhe ndoshta përsëri dikujt mund t'i fillojë të bëjë këto, jo po ishin nga ura e Lanës, jo po shkonin deri te Nënë Tereza. Po kur ti sheh varganin e njerëzve që bëjnë xhirot nëpër rrugët e Tiranës, e kupton se sa masive, sa rinore, sa e qeshur, sa entuziaste është kjo protestë. Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo ditë e më tepër ajo duhet mbështetur.’, tha Andi Tela në SYRI TV.