Provokim, apo orgazmë e Liderit të një populli në amnezi?!

Edi Rama njihet si autor i provokimeve të forta, që në kohën që ka nisur karrierën e tij artistike. Kur ishte refugjat-bohem në Francë, e la veten ca kohë pa ushqim dhe shkoi bleu mish të skaduar nëpër supermarkete, për të realizuar një nga “kryeveprat” e tij që tashmë nuk e zë në gojë. Realizoi një bunker që simbolizonte Shqipërinë komuniste, të mbuluar me copa mishi të bijve të saj. E kishte vërtet urrejtje ndaj asaj Shqipërie, apo i duhej për procedura të azilit politik, nuk ka për tu mësuar kurrë. Më herët, kur tentoi të kapte kreun e Partisë Demokratike, ende filiz, provokoi duke kërkuar varjen e gjithë komunistëve nëpër shtylla elektrike, pa përjashtuar edhe të atin, Kristaqin.

Në fushatën e tij të parë elektorale si kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2005, në mitingun përmbyllës të zgjedhur enkas në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, simuloi rrëzimin e një monumenti kartoni, të diktatorit Enver Hoxha.

Një vit më parë vendosi të rikthejë “Shtëpinë e Gjetheve” si muze dhe u kujdes personalisht, që të provokonte këtë herë në kah të kundërt, duke vendosur në aureolën e ministrave të egër të Brendshëm të diktaturës, edhe krahun e tij të djathtë, Gramoz Ruçin.

Me emër dhe figurë, Gramoz Ruçi, qëndron aty si kryexhelat përball pincave, darëve, morsave, sharrave e shumë veglave të tjera të torturave mesjetare që përdoreshin në atë shtëpi, për këdo që kërkonte demokraci.

Ky provokim duket se ka qenë një hyrje, një prelud për superprovokimin, supertalljen, superkarshillikun, supercinizmin, që kishte si plan në kokë dhe që e realizoi, në këto ditë të nxehta Gushti.

Pikërisht me rastin e 25 vjetorit të zgjedhjes si kryetar të Kuvendit të Shqipërisë të Pjetër Arbnorit, “Mandelës shqiptar”, që shkriu jetën për demokraci, Edi Rama ul në atë karrige, autorin e masakrës së 2 Prillit 1991, ku u vranë katër djem të rinj demokratë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Duke nisur që nga Shtatori, e gjithë trupa diplomatike në Tiranë ka një shans të madh jete, për të parë në realitet atë skenë që nuk do ta realizonte, as imagjinata më e sëmurë:

Paraditen e çdo të enjteje, nga lozhat e tyre mund të dëgjojnë kryetarin e Kuvendit, se si drejton trupën e deputetëve që do të na fusin më në fund në familjen Europiane. Kurse pasdite, mund të shkojnë te “Shtëpia me Gjethe” e Edi Ramës dhe të shohin po të njëjtin njeri, mes veglave të torturës që përdoreshin në kohën e tij të parë, për këdo që e mendonte dhe jo më ta artikulonte fjalën, “demokraci”.

Rama shquhet si ideator dhe realizues i Provokimeve të Mëdha, por duket se këtë herë ai më shumë se po provokon, po tallet me të gjithë; demokracinë, pluralizmin, me të përndjekurit, të vdekur e të gjallë që kanë besuar se jemi në demokraci, madje edhe me vetë Ruçin, të cilin tashmë e ka bërë një tabelë qitje të lehtë.

Gjithsesi në një analizë më të hollësishme do të përpiqemi të kthjellojmë, se përse e bën Rama këtë; masturbon dhe kalon në orgazmë me fuqinë e tij absolute, duke vërtetuar se me këtë popull mund të bësh çfarë të duash dhe çudia më e madhe, tre ditë jetë i ka shumë?!

 Po na tregon, se Demokracia, Antikomunizmi janë iluzione, apo çfarë...?!

Sa për një rikujtesë të shpejtë, po ju vendosim përballë kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë 25 vite më parë, kur shqiptarët sapo përqafuan demokracinë dhe atë të vitit 2017, kur presim të na fusin përfundimisht në familjen e pasur të BE-së...

Pjetër Arbnori kryetar i Kuvendit të Shqipërisë 1992-1997

Pjetër Arbnori lindi në qytetin e Durrësit, më 18 janar 1935. Ai mbeti jetim në moshën shtatë vjeçare, kur i ati u vra nga forcat partizane të Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai mbaroi shkollën e mesme me medalje të artë, por iu mohua e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, për shkak të të kaluarës antikomuniste të familjes së tij. Ai jetonte bashkë me nënën dhe dy motrat e tij.

Pas përfundimit të shkollës së mesme Arbnori gjeti punë si mësues në vitin 1954, por u pushua nga puna pa mbushur vitin për arsye politike. Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak kreu punë të ndryshme duke përshirë edhe punë në bujqësi. Gjatë kohës që punonte ai arriti, duke përdorur mbiemër tjetër, të pranohet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1958. Ai e përfundoi këtë shkollë pesë vjeçare me korrespondencë në dy vjet në vitin 1960. Mbas kësaj, Arbnori punoi si mësues letërsie në një shkollë të Kavajës.

Gjatë kohës që punonte aty, Arbnori së bashku me disa intelektualë të tjerë krijoi në fshehtësi Lëvizjen Social-Demokrate. Por shpejt ai ra në sy të Sigurimit të Shtetit  dhe u arrestua së bashku me shtatë persona të tjerë. Pas një periudhe dy vjeçare në hetuesi ku ai iu nënshtrua torturave më çnjerëzore, Pjetër Arbnori u dënua me vdekje.

Ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë.

Në kushtet më të vështira në burg ai shkroi një pjesë të madhe të veprës së tij letrare. Në kohën që periudha e dënimit të tij po përfundonte, atë e dënuan përsëri me dhjetë vjet burg. Në gusht të vitit 1989 Pjetër Arbnori u lirua nga burgu. Arbnori kaloi 28 vjet në burgun e Burrelit. Ai u arrestua në moshën 26 vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç.

Në janar të vitit 1990 ai mori pjesë në Shkodër në demostratën kundër pushtetit komunist që rrëzoi bustin e Stalinit. Po në të njëjtin vit ai ishte bashkëthemelues i degës së Partisë Demokratike në Shkodër. Prej vitit 1991 deri më 2001ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte Kryetar i Kuvendit.

Pjetër Arbnori vdiq në Napoli, Itali, ku kishte shkuar pas një hemorragjie cerebrale. Ai ishte i martuar dhe la dy fëmijë. Partia Demokratike, që kishte ardhur në pushtet në këtë kohë, e nderoi atë duke zhvilluar një ceremoni zyrtare shtetërore, dinjitoze për këtë figurë të shquar të demokracisë shqiptare.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Shtator 2017…

Gramoz Ruçi ka lindi më 6 dhjetor të vitit 1951 në fshatin Salari, të rrethit të Tepelenës. Studioi Kimi, dhe filloi punë si mësues në fshatin Progonat.

Në vitin 1985, pasi mbaroi Kursin e Lartë të Shkollës së Partisë, Ruçi filloi karrierën e tij të vrullshme politike në radhët e regjimit komunist. Fillimisht ka qenë Sekretar i Dytë dhe më pas u emërua Sekretar i Parë i Partisë së Punës të rrethit të Tepelenës në vitin 1988.

Në fund të vitit 1990 edhe për meritë të organizimit të “Vullnetarëve të Enverit” që për pak nuk e çuan vendin drejt një lufte civile të përgjakshme, ai u emërua nga Ramiz Alia, fillmisht zv.ministër dhe më pas ministër i Brendshëm deri në prill të vitit 1991, kur urdhëroi përgjakjen e demostruesëve të opozitës demokratike. Në këtë ngjarje ende pa autorë të vërtetë të dënuar, snajperët e strukturave të drejtuara nga Ruçi vranë 4 protestues demokratë dhe plagosën 81 të tjerë.

Periudha kur Ruci ka udhëhequr Ministrinë e Brendshme mbahet mend përveç masakrës së Shkodrës, edhe për dhjetëra vrasje të të rinjve shqiptarë pa paralajmërim dhe mëshirë në kufi, gjatë tentativave për tu larguar jashtë vendit.

Kjo masakër e paprecedent për asnjë vend ish-komunist ndodhi, edhe  pse  ligji  që e konsideronte arratisjen si tradhti  ndaj atdheut ishte  shfuqizuar dhe ishte bërë vetëm, një kundërvajtje penale.

Ruçi bëri në këtë detyrë, gjithçka për fshehjen e këtyre krimeve që janë “anonim” edhe sot e kësaj dite, madje edhe varret e këtyre dëshmorëve të parë të vërtetë, të demokracisë dhe pluralizmit.

 Nga viti 1992 deri në vitin 1996, ai njihej brenda PS-së si i përzgjedhuri dhe krahu i djathtë i Fatos Nanos. Gjatë trazirave të vitit 1997 ai u arratis për në Greqi i maskuar si grua, fakt që nuk e ka përgënjeshtruar asnjëherë.

Pas rikthimit në Shqipëri, Ruçi arrin në majat më të larta të PS, duke marrë postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Një përvojë që do ti vlente shumë në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e selisë rozë. duke u njohur me të gjitha prapaskenat që luhen në këtë parti të madhe, me një këmbë në periudhën komuniste dhe tjetrën në atë pluraliste.

Ashtu si Fatos Nano edhe Edi Rama, pas kapjes së postit të kryetarit të PS-së, do ta mbante Ruçin gjithmonë në krah të djathtë, si “gogol” për luftërat e brendshme dhe për kundërshtarët politikë jashtë partisë së tij. Prej vitit 2009 Ruçi udhëhoqi për herë të dytë (viti 2000) grupin parlamentar të Partisë Socialiste, kurse në fillim të muajit shtator prêt të ulet në karrigen e numrit dy të shtetit shqiptar, atë të Kryetarit të Kuvendit.

SYRI.net