Blatter sulmon FIFA-n për rastin e Omar Artan: E pabesueshme dhe absurde!
Ish-presidenti i FIFA, Sepp Blatter, ka kritikuar ashpër organizatën që ai drejtoi nga viti 1998 deri në vitin 2015, pas përjashtimit të arbitrit somalez Omar Artan nga Kupa e Botës 2026.
Artan, i cili ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në turneun botëror, u pengua nga autoritetet amerikane të hynte në Shtetet e Bashkuara pas mbërritjes në aeroportin e Maiamit. Si pasojë, arbitri u detyrua të kthehej në Mogadishu, kryeqytet i Somalisë, duke humbur mundësinë për të qenë pjesë e Kampionatit Botëror.
Blatter e cilësoi situatën si të papranueshme dhe theksoi se vendet organizatore të Kupës së Botës kanë detyrime të qarta ndaj FIFA-s.
“Është e pabesueshme dhe absurde. Kur një vend zgjidhet për të organizuar Kupën e Botës, ekzistojnë dy parime të shenjta: garantimi i sigurisë dhe dhënia e vizave për të gjithë zyrtarët e FIFA-s. Nuk ka asgjë më zyrtare se një arbitër”, deklaroi ai për mediet franceze.
Sipas ish-drejtuesit zviceran, refuzimi i hyrjes për një arbitër përbën një problem serioz dhe vendos në pikëpyetje respektimin e detyrimeve nga vendi organizator.
“Kur një shtet refuzon hyrjen e një arbitri, kemi të bëjmë me një problem të rëndë. Përgjegjësia kryesore bie mbi FIFA-n, e cila ka braktisur një parim themelor që Shtetet e Bashkuara nuk e respektuan. Turneu nuk mund të ndalet, por kjo mbetet revoltuese”, shtoi Blatter.
Ai nuk kurseu kritikat as ndaj presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, duke sugjeruar se ky i fundit duhej të kishte treguar më shumë autoritet në përballjen me autoritetet amerikane.
Blatter paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e ndërhyrjes së politikës në futboll. “Kur politika fillon të kontrollojë futbollin, atëherë gjërat shkojnë keq. Edhe federatat e tjera duhet të reagojnë ndaj kësaj situate”, u shpreh ai.
Megjithatë, pavarësisht pakënaqësive të tij, ish-presidenti pranoi se do të ndjekë ndeshjet e Kupës së Botës 2026. “Futbolli është jeta ime dhe nuk mund të heq dorë prej tij. Jo gjithmonë jam i kënaqur me atë që ndodh, por nuk kam më pushtetin për të ndryshuar gjërat”, përfundoi Blatter.