‘Ikja e të rinjve, agjendë e Rilindjes’, Mustafaj: Rinia shqiptare e tremb jashtë mase Edi Ramën
Tkurrja e frikshme e popullsisë dhe largimi i rinisë po e çojnë Shqipërinë drejt një kolapsi të pashmangshëm demografik dhe ekonomik. Shifrat e fundit tregojnë një eksod masiv, ku vetëm këtë vit janë regjistruar rreth 33 mijë të larguar, kryesisht të rinj nga 25 deri në 34 vjeç.
I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv nën moderimin e Arnold Kariqit, ish drejtuesi i Departamentit ‘Brain Gain’ në PD, Andi Mustafaj, thotë se ky fenomen prej më shumë se një dekade ka ngritur alarmin mbi mbijetesën e vetë shtetit dhe identitetit kombëtar.
Sipas tij, kjo situatë nuk është një thjesht fenomen natyral global, por një agjendë e qëllimshme e "Rilindjes".
Për Mustafajn, kjo masë e madhe të rinjsh shihet nga qeveria si një rrezik për pushtetin. Të rinjtë që emigrojnë mbartin një frymë rebelimi dhe llogaridhënieje.
Për qeverinë, theksoi ish drejtuesi i ‘Brain Gain’, ky perceptohet si një "skenar win-win": nga njëra anë largohet masa që mund të protestojë dhe të rrezikojë pushtetin, dhe nga ana tjetër sigurohen të ardhura në vend përmes remitancave që emigrantët nisin për familjet e tyre.
Jo është fatkeqësi e momentit aktual që ne po përjetojmë, por nuk është një fatkeqësi e cila nuk mund të rregullohet dhe kjo është lajmi i mirë. Fakti që shqiptarët lartësojnë emrin tonë, emrin e kombit tonë nëpër botë, është një lajm i mirë. Fatkeqësisht sot qeverisja e Rilindjes prej vitesh ka shkaktuar këtë ikje masive, ka pamundësuar që të gjallojnë në vendin tonë shqiptarët. Por edhe njëherë, kjo nuk është diçka e pakthyeshme. Kur e ke trurin mund ta kthesh, problemi është kur nuk e ke, sepse shteti edhe ndryshon dhe ne këtë kërkojmë ta ndryshojmë në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet veprimtarisë tonë në opozitë dhe brenda Partisë Demokratike. Dhe kjo është diçka thelbësore, sepse problemi i demografisë kur ndodh, pra kur realizohet problemi, është shumë vonë për ta rregulluar.
Domethënë, në qoftë se ne vijmë në një moment ku do jetë kthyer komplet dhe ka filluar në mënyrë shumë të madhe dhe e shohim dhe nga ardhjet masive të emigrantëve për të mbushur ato poste që nuk ka më rinia shqiptare e cila ka ikur. Pra, kur do vijë një moment që do jetë shumë vonë për ta rregulluar. Ndaj ne duhet të flasim dhe kemi folur vazhdimisht, ndaj Partia Demokratike ka pasur në programin e saj propozime të shumta se si të rregullojmë këtë qasje, këtë problematikë demografike dhe do të vazhdojmë të mbajmë trysninë, të rrisim trysninë derisa të merren masat e duhura nga shteti.
Janë dy sisteme kryesisht nëpër botë që i kemi. Një sistem ku ata që punojnë paguajnë për ata që nuk punojnë si pensionistë dhe sistemi ku ata që punojnë bëjnë kursime për kohën kur ata nuk do punojnë. Sistemi shqiptar është ai i pari, pra ata që punojnë, rinia që punon, që krijon dinamikë ekonomike, paguan për ata që nuk kanë mundësi qofshin pensionistë, qofshin persona me aftësi të kufizuara, e kategori të tjera sociale të prekura. Ndaj është thelbësore që ky ekuilibër të ruhet. E thatë shumë mirë, shteti mund të shkojë në kolaps, do shkojë në një formë kolapsi.
Por fatkeqësisht zgjidhja e lehtë që do zgjedhë Rama e do zgjedhë Rilindja në qoftë se ajo vazhdon bëmat e saj fatkeqe në Shqipëri, është ajo që thatë edhe ju vetë që është imigracioni masiv i një pjese të madhe që nuk janë të deklaruar, dhe krijimi i pra i një shoqërie shqiptare me shpejtësi të ndryshme, me botëkuptime të ndryshme e cila do impaktojë thellësisht edhe identitetin shqiptar. Pikërisht sepse nuk duhet të arrihet në atë pikë kolapsi, ne duhet të gjejmë mënyrat që të rinjtë shqiptarë të jenë ata motorë të ekonomisë shqiptare dhe ata motorë të kombit shqiptar në përgjithësi, sepse nuk është vetëm çështja e ekonomisë, sigurisht është një çështje thelbësore, por është edhe çështja e identitetit, është edhe çështja e historisë dhe historisë që ne duam të tregojmë si komb në botën e sotme.
Shteti shqiptar është grumbullimi i qytetarëve shqiptarë. Dhe në qoftë se vjen e do vijë një moment, një balancë ku qytetarët shqiptarë nuk do jenë më të aftë të vendosin për identitetin, të vendosin për të ardhmen e tyre, kjo do krijojë një thyerje të madhe. Ka disa shtete që e kanë përjetuar në masa të ndryshme dhe e kanë parë vështirësinë që ata kanë hasur. Ne jemi një vend i vogël, por me një pasuri shumë të madhe, duhet të bëjmë çmos që ta mirëmbajmë këtë pasuri. Duhet të bëjmë çmos që rinia shqiptare të njihet brenda Shqipërisë dhe jo jashtë saj. Por edhe njëherë, duke ditur që ata kanë ikur, ne kemi mundësitë që të krijojmë kushte në këtë botë të globalizuar e cila është, të gjejmë mënyrën për të thithur investimet e tyre.
Pyesni se si, por Partia Demokratike për shembull në programin e saj kishte dhe ka idenë e tërheqjes së investimeve për emigrantët shqiptarë që duan të kthejnë investimet e tyre në Shqipëri, për emigrantët shqiptarë që duan të kontribuojnë në politikën shqiptare, për emigrantët shqiptarë që duan të kthehen të punojnë brenda shtetit shqiptar. Kujtojmë që në vitin 2005 Partia Demokratike ka qenë partia e parë e cila ka shpikur dhe e ka krijuar fondin e ekselencës me qëllim thithjen e trurit shqiptar drejt administratës publike shqiptare për të përmirësuar funksionimin e saj. Pra mekanizma ka edhe në teori por edhe në praktikë sepse i kemi realizuar.
Ne e shohim dhe çfarë po ndodh aktualisht me protestat e ndryshme, rinia shqiptare është diçka që e tremb jashtë mase shumë Edi Ramën sepse ka në dorë mundësinë për ta destabilizuar dhe për ta thyer atë në mënyrë të sigurt. Edhe në Departamentin Brain Gain ne jemi munduar të trajtojmë këtë temë. Në përgjithësi personat që ikin, nuk është se janë më të mirë apo më të këqij sesa ata që rrinë, por personat që ikin për nga rreziku që janë gati të marrin për jetën e tyre, sepse në kundërshtim me çfarë mendohet, emigracioni është diçka në 99% të rasteve shumë e vështirë për personat që e ndërmarrin si rrugëtim.
Pra, personat që janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë rrugëtim për veten e tyre, larg familjes së tyre, a kombit të tyre, kanë brenda vetes së tyre një kapacitet rebelimi më të madh ndoshta, në një aftësi ndryshe sesa një pjesë tjetër e popullsisë. Dhe absolutisht që është në interesin e regjimit që këta persona të jenë sa më larg, sepse duke qenë larg ata zbehin angazhimin e tyre politik, por edhe kthejnë gjithsesi nëpërmjet remitancave për të ndihmuar familjarët e tyre në Shqipëri. Pra është një situatë win-win për regjimin e Rilindjes. Por kjo është vetëm një prej skemave që ata kanë ndërtuar.
Ju e dini që dhe fyerjet artificiale ku tentojnë masivisht të përplasen në mënyrë krejt artificiale shqiptarët e vjetër me të rinjtë, shqiptarët që janë këtu apo ata që janë jashtë, shqiptarët ndërmjet partive. Regjimi e ka krijuar këtë sistem nëpërmjet ndarjes së qytetarëve dhe largimit të tyre që të mundësojë jetëgjatësinë e tij sa më të madhe. Do të jetë shumë e vështirë. Nuk e ka thënë ndonjëri që do jetë e lehtë. Është e vërteta, kemi thënë që është një plan i cili kërkon vite për t'u zbatuar sepse thyerjet që janë krijuar janë kaq të thella sa duhet kohë për t'u shëruar. Por programi i Partisë Demokratike edhe njëherë unë thashë në teori por dhe në praktikë, sepse kemi pasur dhe mundësinë ta jetojmë nëpërmjet qeverisjes që ka bërë, synon një hap të parë këtë shërim të popullsisë.
Synon si hap të parë që mos t'i përplasi më shqiptarët me njëri-tjetrin, që ata të mund ta shohin jetën e tyre në Shqipëri. Sepse përpara se të mendojmë kthimin, kthimi fizik është një fazë e fundit e një projekti politik. Nuk ka thënë njeri që në muajt e parë sapo të vijë Partia Demokratike do kthehen njerëzit masivisht. Por duke krijuar kushtet që shqiptari ta shohi jetën e vet, qoftë në angazhimin politik, qoftë në punën në administratën shtetërore, apo në punën, në krijimin e sipërmarrjeve të veta, në krijimin e familjes, familjeve të tyre në Shqipëri, pak e nga pak rikrijohen këto kushte. Ajo që është krijuar nga njerëzit, zhbëhet nga njerëzit, dhe ne këtë duam të bëjmë dhe këtë jemi të bindur se mund ta arrijmë të bëjmë për popullatën shqiptare.
Unë e kam parë me krenari këtë për vendin tim, por edhe për Partinë Demokratike dhe për vlerat që ne përfaqësojmë të gjithë së bashku. Qoftë si individë, qoftë si anëtarë të një partie, qoftë si qytetarë thjesht të kombit tonë. Ne kemi kërkuar vazhdimisht, vazhdimisht që qytetarët shqiptarë të dalin të protestojnë për të drejtat e tyre. Dhe kur ata nuk kanë pasur mundësi që të protestojnë, ne jemi munduar ta mbajmë sa më lart atë pishtarin e protestës edhe kur na anatemoni, edhe kur na sulmonin.