Claude Le Roy rikthehet te Kongoja në moshën 78-vjeçare, 11 vite pas aventurës së fundit

Trajneri francez, Claude Le Roy, ka vendosur të rikthehet në pankinë. Në moshën 78-vjeçare, veterani i futbollit afrikan është thirrur nga Federata e Futbollit e Kongos për të marrë drejtimin e kombëtares së Kongos, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Le Roy do të bashkëpunojë me trajnerin francez Omar Daf, i njohur për eksperiencat e tij te klubet franceze Sochaux dhe Amiens. Federata kongoleze ka vendosur t’i besojë sërish eksperiencës së madhe të Le Roy, një emër që prej dekadash lidhet ngushtë me futbollin afrikan.

Gjatë karrierës së tij, francezi ka drejtuar disa nga kombëtaret më të njohura të kontinentit. Ai ka qenë trajner i Kameruni në dy periudha të ndryshme, fillimisht nga viti 1985 deri në vitin 1988 dhe më pas në vitin 1998. Më vonë ai drejtoi edhe Senegalin nga viti 1988 deri në vitin 1992, ndërsa pati dy eksperienca edhe me RD Kongo.

Sa i përket Kongos, Le Roy e drejtoi kombëtaren nga viti 2013 deri në vitin 2015 dhe tani rikthehet pas plot 11 vitesh. Përpara këtij rikthimi, aventura e tij e fundit në nivel kombëtaresh ishte me Togoja, të cilën e drejtoi nga viti 2016 deri në vitin 2021.

Emërimi i tij konsiderohet një zgjedhje e sigurt nga drejtuesit e futbollit kongolez, të cilët synojnë të përfitojnë nga përvoja e madhe e trajnerit në menaxhimin e kombëtareve afrikane. Deri tani nuk janë bërë publike deklarata zyrtare nga Le Roy apo federata, por marrëveshja pritet të formalizohet së shpejti.

Rikthimi i francezit në pankinën e Kongos konfirmon se pasioni i tij për futbollin mbetet i pandryshuar, edhe në moshën 78-vjeçare, duke e bërë atë një nga trajnerët më jetëgjatë dhe më të respektuar në historinë e futbollit afrikan.