Polonia do të jetë e pranishme në Kupën e Botës 2026 falë Haitit

Edhe pse kombëtarja e Polonisë nuk arriti të siguronte kualifikimin për Kupën e Botës 2026 pasi u eliminua në ndeshjen e play off-it ndaj Suedisë, flamuri polak do të jetë gjithsesi i pranishëm në turneun më të madh të futbollit.

Kjo do të ndodhë falë përfaqësueses së Haitit, e cila ka vendosur të vendosë flamurin e Polonisë në fanellat e saj si një homazh për popullin polak dhe mbështetjen historike që ai u dha haitianëve gjatë luftës për pavarësi në fillim të shekullit XIX.

Historia lidhet me Betejën e Vertières, e zhvilluar mes viteve 1802 dhe 1804, ku forcat franceze të dërguara nga Napoleon Bonaparti u përballën me ushtrinë vendase të Haitit. Konflikti përfundoi me pavarësinë e Haitit nga Franca, duke e bërë atë republikën e parë të pavarur me popullsi me prejardhje afrikane në botë.

Gjatë kësaj periudhe, Napoleoni dërgoi më shumë se 5 mijë ushtarë polakë për të luftuar në anën franceze. Megjithatë, një pjesë e tyre, rreth 200 ushtarë, vendosën të mbështesnin haitianët. Ata e kuptuan se po luftonin kundër një populli që kërkonte lirinë nga shtypja dhe skllavëria, një situatë që u kujtonte vetë përpjekjet e Polonisë për t’u çliruar nga sundimi rus.

Shumë prej këtyre ushtarëve dezertuan nga ushtria franceze dhe iu bashkuan rebelëve haitianë. Pas përfundimit të luftës, një numër i madh i tyre u vendosën në Haiti, duke lënë një trashëgimi që vazhdon edhe sot. Për këtë arsye, shumë qytetarë haitianë kanë rrënjë polake krahas atyre franceze dhe afrikane.

Përmes këtij gjesti simbolik në Kupën e Botës 2026, Haiti dëshiron të nderojë këtë lidhje historike mes dy popujve. Ndërkohë, në Varshavë tifozët polakë do të kenë një arsye të veçantë për të mbështetur Haitin gjatë turneut.