Protestat/ Lubonja: Ndërkombëtarët duhet të reagojnë, duhet të mbajnë qëndrim

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar protestat masive që po mbahen prej 10 ditësh në Tiranë dhe vende të tjera të Shqipërisë dhe jashtë kufijve.

Ai thotë se protestat ishin befasuese, ndërsa shtoi se pjesa më e bukur janë marshimet në Tiranë.

“Kam ndjerë që diçka që nuk ishte në fillim, që ndryshoi nga përvoja apo nevoja. Fakti që pasi mbaron ajo pjesa ku të gjithë mblidhen afër kryeministrisë, deri te ura e Lanës, nis marshimi në Tiranë. Marshimi në Tiranë, mbledh shumë energji. Ajo është ndoshta pjesa më e bukur nga ajo çka kam parë.

E para gjë që dua të them është se ishte diçka e papritur dhe për mua. Kemi qenë në debate edhe me partitë e reja. Ishte krijuar ideja se nuk bëheshin protesta qytetare. Ky është një politizim i një shtrese që janë të rinjtë, i bukur që lind dhe nga nevoja që thotë një brez; prit se jemi dhe ne këtu. Rama ka djegur disa breza. Brezin e Erion Veliajt. Brezin e ‘Mjaft’. Jemi në lojë tani, a do të shtypet kjo protestë, apo të do të masivizohet”, tha Lubonja për News 24.

Mes të tjerash Lubonja u ndal dhe te reagimet e Ramës.

“Kur vihesh në konfrontim me një pushtet, nis të motivohesh se do që ta fitosh t'i betejën. Jo me armë e dhunë, por do që të fitosh betejën. Ti do dorëheqjen, ai do që të qëndrojë për pushtet se e ka çështje ‘për jetë a vdekje’. Kjo betejë ndikon dhe rreshton njerëz, i motivon ata. Një element që duhet parë është dhe mungesa e frikës.

Një nga elementet që ka pasur Rama, është frika. Thuhet se ka mobilizuar njerëz për të ushtruar këtë presion, qoftë te oligarkët dhe shtetin, administratën. Kjo sfidë e frikës, është element i rinisë, që jeton me më pak frikë se brezat tanë. Rama e ka stil që të sulmojë. Por më duket se do të vazhdojë me këtë qasje. Ai është shumë larg dhënies së dorëheqjes”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja kritikoi faktin se aleatët ndërkombëtarë nuk kanë reaguar në lidhje me protestën masive të qytetarëve shqiptarë, që nisi për projektin në Zvërnec, por që është zgjeruar për të gjitha problematikat në vend, duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga pushteti. 

Ai theksoi se faktori ndërkombëtar nuk duhet të heshtë dhe të mbështesë qeverinë e Edi Ramës për arsye gjeopolitike.

Sipas Lubonjës, mosreagimi i tyre deri më tani është një qëndrim politik, të cilin e cilësoi si të gabuar. 

“Ndërkombëtarët kanë qenë gjithnjë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, mungesa e reagimit është qëndrim politik. Për mendimin tim është i gabuar. Nuk mund të mbështesin një regjim për arsye gjeopolitike, edhe arsye korruptive për një pjesë se ky ka punuar shumë edhe për të korruptuar.

Duhet të jenë në anën e kësaj çështjeje dhe jo të flasin jo vetëm për flamengot por për të gjithë sistemin kriminal që ka ndërtuar Rama. Kjo është protestë jo vetëm për Zvërnecin, por edhe për demokracinë. E ka masakruar bregdetin dhe po shkon në Zvërnec. Këta ndërkombëtarët nuk duhet të mbyllin sytë ndaj këtij sistemi. Nuk i shohin gradacelat që ngrihen dita ditës, e vetmja ekonomi që funksionon në Shqipëri. 

Përveç faktit se po kriminalizohet e gjithë shoqëria se nëse vë këta që pastrojnë paratë në krye të shoqërisë, është katastrofë edhe në kuptimin human. Kur mori zgjedhjet, përdorte një parrullë që sulmonte Berishën se këtu nuk jetohet dot si njeri i ndershëm. Tani këtë mund ta shtosh në katror ose kub se këtu nuk jetohet si njeri i ndershëm, me këtë sistem që ka ngritur ky. Mendoj se ndërkombëtarët, nga presioni kësaj proteste dhe i diasporës, dhe drejtësia që duhet të zbulojë se çfarë qëndron prapa, të gjitha së bashku mund t’i bëjnë që të mbajnë qëndrim”, u shpreh Lubonja.