Formula 1/ Pse Ferrari e humbi Antonelin? Arrivabene zbulon prapaskenat e talentit italian
Andrea Kimi Antoneli po shijon një ngjitje të jashtëzakonshme në botën e Formula 1 dhe tashmë konsiderohet një nga talentet më premtuese të automobilizmit botëror.
Pas rezultateve të shkëlqyera të arritura me Mercedesin, shumë tifozë italianë vazhdojnë të bëjnë të njëjtën pyetje: si mundi Ferrari të humbiste një pilot të tillë?
Përgjigjja ka ardhur nga ish-drejtuesi i Ferrarit, Maurizio Arrivabene, i cili ka shpjeguar arsyet pse skuadra italiane nuk arriti ta afronte Antonelin në akademinë e saj.
Sipas Arrivabenes, kur Antoneli ishte vetëm 10 ose 11 vjeç, Ferrari nuk dispononte strukturën e duhur organizative për të investuar te pilotë kaq të rinj.
Në të njëjtën kohë, Mercedes kishte identifikuar talentin e italianit që në ditët e para të kartingut dhe vendosi të investonte fuqishëm në zhvillimin e tij.
“Ferrari në atë periudhë nuk kishte organizimin e nevojshëm për të menaxhuar pilotë të moshave kaq të reja. Për më tepër, te Ferrari proceset janë më komplekse sesa në skuadrat e tjera”, shpjegoi Arrivabene.
Ish-shefi i skuadrës italiane zbuloi gjithashtu se në vitin 2018 vëmendja kryesore e Ferrarit ishte e përqendruar te promovimi i Charles Leclerc në Formula 1.
Edhe ai vendim kishte shkaktuar debate të shumta brenda ekipit, pasi jo të gjithë besonin se piloti nga Monako ishte gati për një përgjegjësi kaq të madhe.
Megjithatë, Arrivabene beson se rrugët e Antonelit dhe Ferrarit mund të kryqëzohen në të ardhmen.
Sipas tij, piloti italian, i cili është ende vetëm 19 vjeç, ka talentin dhe kohën e nevojshme për të fituar një ditë titullin botëror, madje edhe me skuadrën më të famshme të Formula 1.
Për momentin, Mercedes po shijon frytet e një investimi të hershëm, ndërsa Ferrari vazhdon të pyesë veten se çfarë mund të kishte ndodhur nëse do të kishte vepruar më shpejt.