EMRAT/ Goditen 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, 3 të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Kalibri”, duke goditur dy raste të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Si rezultat i aksionit, tre persona janë vënë në pranga, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri, një granatë, municione dhe lëndë narkotike.

Në kudër të operacionit "Kalibri", vihen në pranga shtetasit Dervish Tusha, Lamberto Dinaj dhe Arsildo Marku.

Njoftimi:

DVP Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Kalibri”. Goditen 2 raste të tjera të mbajtjes pa leje, të armëve të zjarrit.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 granatë, 3 krehra armësh, qindra fishekë luftarak dhe sasi Cannabisi.

Vihen në pranga 3 shtetas.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që përbëjnë rrezik për sigurinë publike, duke poseduar ose shitur armë zjarri, me qëllim kryerjen e ngjarjeve kriminale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Kalibri”.

Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit:

-L. D., dhe A. M., të dy banues në Lezhë, të cilët u kapën duke lëvizur me automjet, në hyrje të qytetit të Durrësit, dyshohet për të shitur një armë zjarri (pistoletë) me 2 krehra dhe fishekë. Arma dhe municioni u gjetën në çantën e pasagjerit, shtetasit L. D., të cilit iu gjet dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;

-D. T., pasi gjatë kontrolleve në banesë në fshatin Shtrazë, Shijak, iu gjetën 1 armë zjarri (kallashnikov), 1 granatë mbrojtëse (me ndezës të montuar), 1 krehër arme dhe qindra fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.