Berisha: Trungu i kësaj lëvizje madhështore është rinor, qytetar. Demokratët duhet të mbështesin protestën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot se lëvizja për largimin e Edi Ramës ka një karakter të qartë qytetar dhe rinor, dhe çdo demokrat duhet ta mbështesë pa dallim.

Berisha denoncoi qeverisjen e Ramës si “parti e krimit” dhe theksoi se kërkesa e qytetarëve për largimin e tij është “më legjitime se kurrë”.

Ai theksoi se protesta duhet të jetë rinore dhe qytetare, pa simbolet e partisë, dhe u bëri thirrje të gjithë mbështetësve të jenë pjesë e saj.

Fjala e tij:

Prokurorë guximtarë sollën në parlament dosjen e Lubi Ballukut, në të cilin 100% ishte lidhje e Edi Ramës, ku sipas tij pretenca do ishte për 36 vite burg. Burg 36 vite. Dhe ajo sot bën parada.

Ajo sot drejton partinë e krimit, shpërndan medalje për koskat mafioze të partisë së krimit. Pra nuk ka legjitimitet asnjë ditë. 
Dhe ajo kërkesë e qytetarëve për largimin e tij është kërkesa më legjitime. 
Ndaj dhe çdo demokrat e demokrate, çdo mbështetës dhe mbështetëse e jonë duhet të mbështesë me të gjitha mënyrat atë protestë. 
Duhet ta mbështesë kësaj here pa simbolet e partisë. Le të jenë rinia, sepse është protestë qytetare, rinore. 
Ndaj dhe ftesa ime është që çdo mbështetës, çdo simpatizant, çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike duhet të jetë në protestë. Protestën do ta themi më rinore, më qytetare që ka parë vendi gjer sot. Kështu është ajo. 
Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet që gjethet të na pengojnë me pa madhështinë e trungut. Dënojmë me forcën më të madhe etiketimet që u bën Edi Rama protestuesve duke shfrytëzuar dhe keqinterpretuar thirrjet e tyre. 
T'i quash nazistë ata apo pasues të Hitlerit, si pasues të Hitlerit sepse thonë ‘Shqipëria e Shqiptarëve’, për t'i rikujtuar një slogan të Mit'hat Frashërit ‘Shqipëria e shqiptarëve’, është një armiqësi e egër, e paimagjinueshme. 
Mit'hat Frashëri ishte një burrë mendjendritur, një atdhetar. Por cilido që njeh Mit'hat Frashërin dhe përpjekjet e tij për këtë vend, ai nuk ka patur atë si motiv ksenofobie, as dhe paralelizëm me thirrjen e Hitlerit për gjermanët që ky vend është vetëm i juaji. 
Jo, ai e pa se Shqipëria po shtohej në kolonitë e Serbisë, e pa se Partinë Komuniste në Shqipëri e themeloi Beogradi. 
Kjo ishte esenca e asaj parulle që përdori për partinë e tij. Ai ishte një luftëtar kundër nazizmit. Ndaj dhe atavizmat e etërve të tij për armikun e brendshëm dhe flet gjëra të cilat janë të dënueshme. 
Kështu që unë ndalem në këtë, asnjëherë gjethet nuk duhet të pengojnë njeriun të shohë trungun. 
Trungu i kësaj lëvizje madhështore është rinor, qytetar. 
Disa slogane, të opozitës së opozitës, veglën e qeverisë, janë klithma mjerane. Klithma mjerane. As, i shumëzoni me zero... i shumëzoni me zero! 
Më kujtojnë fjalën e filozofit iluminist francez Diderot, që thotë diku: ‘I shëmbëllen mizës, që ka hyrë diku tek bualli dhe mendon se tërheq karrocën’. 
Aty bualli është populli, janë qytetarët, janë të rinjtë shqiptarë, janë ata të cilët kanë kërkesat më të drejta që i ka paraqitur kush ndonjëherë, largimin e Edi Ramës. Edi Rama është një armik i egër, është një barbar i mjedisit në Shqipëri dhe i trashëgimisë kulturore. 
Nuk ka patur Shqipëria një të tillë kurrë! Është një shkatërrimtar i trashëgimisë kulturore dhe i mjedisit. Nuk ekziston në histori, nuk regjistrohet në histori një i tillë i dytë.