Tusk: Asnjë marrëveshje për Ukrainën pa Poloninë

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe po bisedojnë me Ukrainën për Rusinë dhe një fund të mundshëm të luftës. Por një vend i rëndësishëm evropian ndihet i anashkaluar.

Kryeministri polak Donald Tusk ka kritikuar mospjesëmarrjen e vendit të tij nga bisedimet për Ukrainën në formatin E3 me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe. Ai tha se këtë ia ka bërë të qartë edhe kancelarit gjerman Friedrich Merz në një bisedë telefonike, njoftoi në Varshavë, sipas agjencisë së lajmeve PAP.

“Kam thënë se, nga këndvështrimi polak, marrëveshjet në të cilat Polonia nuk është e përfshirë, nuk do të respektohen nga ne,” citohet të ketë thënë Tusk. “Polonia është një hallkë absolutisht e domosdoshme për të folur seriozisht për të ardhmen e Ukrainës dhe të rajonit.”

Tusk u informua nga Merz për takimin

Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takuan të dielën (07.06.) në Londër. Në kryeqytetin britanik u ra dakord për një qëndrim evropian ndaj Rusisë lidhur me bisedimet për një fund të luftës. Sipas fjalëve të tij, Merz e informoi Tuskun për këtë takim të martën. Ai dhe Tusk janë dakord për kursin në mbështetje të Ukrainës, shkroi kancelari në platformën X. “Do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë – kjo luftë duhet të marrë fund tani.”

E3, E5 apo edhe më shumë?

Tusk raportoi se edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk është e entuziazmuar për formatin E3. Ai foli për një takim të afërt me Poloninë dhe Italinë në formatin E5. Megjithatë, kryeministri polak pranoi se në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë shtete mund të kërkojnë pjesëmarrje dhe procesi i bisedimeve mund të bëhet i vështirë.

Polonia është e rëndësishme si vend fqinj dhe aleat i Ukrainës, si dhe si një shtyllë kyçe e sigurisë së BE-së dhe NATO-s në lindje. Por aktualisht, në planin politik, Polonia po bllokohet nga konflikti ndërmjet presidentit Karol Nawrocki dhe qeverisë së Tuskut mbi atë se kush e përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare. Formati E3 gjithashtu lë jashtë vendet nordike – Finlandën, Suedinë, Danimarkën dhe Norvegjinë – të cilat janë mbështetës të rëndësishëm politikë dhe ushtarakë të Ukrainës. /DW