Shëngjergj, fermerët e bimëve medicinale: Humbje deri 30% nga zhvlerësimi i euros dhe mungesa e fuqisë punëtore
Në fshatin Shëngjergj të Korçës është zhvilluar një takim mes fermerëve që kultivojnë bimë medicinale, grumbulluesve dhe eksportuesve të huaj. Gjatë takimit u diskutua mbi situatën aktuale të sektorit, perspektivat e tij dhe sfidat me të cilat përballen fermerët në tregtimin e produkteve.
Qarku i Korçës ka rreth 200 hektarë të mbjella me bimë medicinale, ku ndër kulturat më të përhapura renditen ciani, qumështori, mullaga dhe kalendula. Sipas përfaqësuesve të sektorit, prodhimi i këtij viti pritet të shitet plotësisht, pasi kërkesa nga tregjet e huaja mbetet e lartë.
Megjithatë, fermerët shprehen se një nga shqetësimet kryesore mbetet zhvlerësimi i euros, i cili ka ndikuar ndjeshëm në uljen e të ardhurave të tyre gjatë viteve të fundit. Ata theksojnë se humbjet kanë arritur deri në 30 për qind, ndërsa mbështetja përmes skemave të subvencionimit konsiderohet e pamjaftueshme.
Po ashtu, mungesa e fuqisë punëtore vijon të mbetet një problem serioz për sektorin. Emigracioni i vazhdueshëm ka reduktuar numrin e punonjësve të disponueshëm për proceset e kultivimit dhe vjeljes së bimëve medicinale. Fermerët kërkojnë politika më mbështetëse dhe masa konkrete për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, i cili zë një vend të rëndësishëm në eksportet shqiptare.