Idris Elba: Mos e bëni James Bond-in ‘woke’

Idris Elba u ka bërë thirrje kujdestarëve të rinj të James Bond-it që të mos e bëjnë spiunin "woke".

Fituesi i çmimit Golden Globe, i cili për vite me radhë konsiderohej një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Daniel Craig, tha se personazhi i 007 duhet të mbetet "jorealist" dhe se jo të gjitha audiencat do ta mirëprisnin një aktor me ngjyrë në këtë rol.

Në një intervistë për GQ duke folur për atë se kush mund ta marrë rolin, ndërsa procesi i përzgjedhjes ka nisur zyrtarisht, Sër Idris tha: "Bondi është shumë jorealist, ndaj një prekje e vogël realiteti është e mirë, por të mos përpiqemi ta bëjmë 'woke'.

"Mendoj se duhet t'i qëndrosh besnik asaj që është: arratisje nga realiteti. Mos u përpiq t'u përgjigjesh shijeve të botës. Thjesht bëhu Bondi."

Ai foli gjithashtu për zërat se mund të zëvendësonte Craig-un pas periudhës 15-vjeçare të aktorit në rolin e spiunit elegant, e cila përfundoi me filmin No Time to Die në vitin 2021.

"Gjithmonë kam menduar se nuk ishte diçka realiste," tha SërIdris, duke shtuar:"James Bond është shkruar ashtu siç është shkruar për një arsye. Por më bëri të ndihem i vlerësuar që emri im përmendej.Dhe gjithashtu, në terma realistë, disa tregje thjesht nuk e pranojnë këtë. Bondi është i madh në të gjithë botën. Dhe jo të gjitha audiencat do ta pranonin një burrë me ngjyrë, një burrë afrikan, në rolin e Bondit. Kjo nuk përputhet me atë që pëlqehet në kulturën e tyre. Pikë."

Komentet e tij vijnë më pak se një muaj pasi Amazon MGM Studios] konfirmoi se kishte nisur procesi i përzgjedhjes për 007-in e ri.

Pas vitesh spekulimesh se kush mund ta merrte këtë rol ikonik, studioja deklaroi:"Ndërsa nuk planifikojmë të komentojmë detaje specifike gjatë procesit të përzgjedhjes së aktorëve, jemi të entuziazmuar të ndajmë më shumë lajme me fansat e 007 sapo të vijë momenti i duhur."

Studioja ka angazhuar Nina Gold, një veterane britanike e përzgjedhjes së aktorëve, e nominuar për Oskar për punën e saj në filmin Hamnet. Ajo njihet gjithashtu për punën në serialet Game of Thrones, The Crown dhe The Dayof the Jackal.

Më herët, Sër Idris kishte pranuar se reagimet raciste ndaj mundësisë që ai të luante spiunin e krijuar nga Ian Fleming"e bënë të gjithë çështjen të neveritshme dhe të pakëndshme".

Ai i tha podkastit Smart Lessnë vitin 2023 se për disa njerëz çështja "u kthye në një debat për racën", duke shtuar se ai "e mori pjesën më të madhe të sulmeve".

Së fundmi, aktori e ka përqendruar vëmendjen te lufta kundër problemit të krimit me thika në Londër, në kuadër të aktiviteteve të tij bamirëse për mbështetjen e të rinjve. Për këtë angazhim, ai u nderua me titullin kalorës nga King Charles III në Windsor Castle më herët këtë muaj.

Në intervistë, Sër Idris shpjegoi se si u përfshi në fushatën kundër krimit me thika:

"Duke dëgjuar raportimet çdo ditë, gjithçka dukej pa shpresë.

"Ishte sikur nëse do të isha një i ri të mendoja: 'Vëlla, mund të mbaj një thikë dhe askush nuk do ta dijë. Mund të godas dikë me thikë dhe askush nuk do ta dijë.' Sepse gjithçka dukej kaq pa shpresë."

Ai shtoi: "Mendova me vete se unë kam mundësinë të dal në emisionin e Graham Norton-it dhe të flas për çfarë të dua, të vesh një bluzë dhe njerëzit ta blejnë, çfarëdo qoftë ajo. Duhet të them diçka.

"Kam fëmijë. Nëse do t'u ndodhte gjë fëmijëve të mi, do të isha i shkatërruar. Kjo ishte arsyeja. Nuk ishte se doja të bëhesha aktivist. Ishte thjesht pyetja: 'A nuk do të thotë askush asgjë?'"

Ndërtimi i aftësive dhe vetëbesimit

Në maj, Sër Idris iu bashkua një ceremonie me shumë të ftuar të njohur për të shënuar 50-vjetorin e The King's Trust në BuckinghamPalace.

Fondacioni i Mbretit bashkëpunon me The Elba Hope Foundation, një organizatë bamirëse e themeluar nga Idris Elba dhe bashkëshortja e tij, Sabrina Elba, për të ofruar kurse falas që synojnë të frymëzojnë të rinjtë në mbarë Mbretërinë e Bashkuar të zhvillojnë aftësi dhe vetëbesim për të punuar në industritë krijuese.

Duke folur për faktin që është cilësuar si "hero" në numrin më të fundit të GQ-së, SërIdris tha:"Jam thjesht një aktor me shumë ambicie. Kam pak vështirësi me këtë. Me përgjegjësinë, me pranimin e saj, sikur them: Po! Jam një hero shembullor! Jam model për të tjerët! Nuk jam. Kam shumë të meta."

Ylli i serialit Hijack shtoi:"Ajo vijë ndarëse është e vështirë për t'u mbajtur: ose je hero, ose nuk je. Cila është e vërteta? Unë qëndroj diku në mes. Nuk kam ndjekur kurrë titullin kalorës dhe as rolin e heroit publik. Nuk është kjo ajo që kërkoj." /The Telegraph – Syri.net