'Gënjeshtra në tempull'/ Këlliçi shpërthen ndaj Ramës: E vërteta ndodhet në shesh

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë aktivitetit të zhvilluar në Apoloni, duke e akuzuar se po përpiqet të fshehë realitetin përmes propagandës, ndërsa protestat qytetare në Tiranë po kërkojnë largimin e tij nga pushteti. Sipas Këlliçit, Rama ka artikuluar një sërë pretendimesh të pavërteta dhe ka sulmuar lëvizjen protestuese që, sipas tij, po shpreh pakënaqësinë e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi ironizoi deklaratat e Ramës, duke thënë se kryeministri po shfaq sjellje dhe qëndrime gjithnjë e më të shkëputura nga realiteti.

Sipas deputetit demokrat, gjatë fjalës së mbajtur nën tempullin e Apolonisë, Rama foli për të vërtetën, por në fakt artikuloi, sipas tij, një seri gënjeshtrash dhe mashtrimesh, duke u përpjekur të paraqesë si arritje personale zhvillime që nuk kanë lidhje me qeverisjen e tij.

Këlliçi ndaloi veçanërisht te deklaratat e kryeministrit lidhur me mjedisin dhe çështjen e Francesco Becchettit, duke pretenduar se largimi i biznesmenit italian nuk kishte lidhje me mbrojtjen e lumit Vjosa, por me qëndrimin kritik që mediat e tij mbanin ndaj qeverisë.

Deputeti demokrat akuzoi Ramën se po përpiqet të manipulojë opinionin publik, ndërsa qytetarët po reagojnë në rrugë kundër korrupsionit, arrogancës dhe lidhjeve të qeverisë me krimin.

“Ndërkohë që Rama sulmon protestuesit dhe i cilëson ata si pjesë të një mashtrimi, e vërteta ndodhet pikërisht në shesh. Qytetarët nuk pranojnë më korrupsionin, arrogancën dhe lidhjet me krimin”, shprehet Këlliçi në reagimin e tij.

Postimi i Këlliçit:

Gënjeshtra në tempull!

Edi Rama është ose nën efektin e ndonjë substance të fortë kimike, ose në mungesë të saj prej 10 ditësh, ku përveç skenave e gjesteve të çartura, po nxjerr nga goja lajthitje të pafundme.

Nën tempullin e Apollonisë, ai mbrëmë po mbante gjasme një ligjëratë për të vërtetën, ndërkohë që konsumoi një varg gënjeshtrash, pa turp. Mashtrime të paimagjinueshme të tipit, pyjet nuk ekzistonin përpara se ai të vinte në pushtet, ai solli në tokë bimësinë.

Flamengot nuk njiheshin para se ai të vinte në pushtet, ai i solli zogjtë e shpendët mes nesh. Asnjë profet nuk ka pretenduar të ketë bërë mrekulli në përmasa të tilla, Edi Rama po.

Po historia me Beketin?!

Të gjithë e dinë dhe ka prova publike se Edi Rama e largoi për shkak të linjës editoriale që mbante me televizionin e tij, që ishte kritike me qeverinë. Madje, Beketi mori nga taksat tona më shumë se 110 milionë euro, duke përdorur në gjyq një mesazh kërcënues të Edi Ramës. Nën tempull, ai tha mbrëmë se e kishte larguar mafiozin për të shpëtuar Vjosën.

Sa më e madhe gënjeshtra, aq më të forta duartrokitjet e nëpunësve të mbledhur me urdhër. Këto janë simptoma të degradimit politik dhe njerëzor të një njeriu që sundoi me korrupsion e arrogancë për 13 vite.

Sulmoi sërish protestuesit, të rinjtë e të rejat që e kanë shfronësuar, duke e quajtur lëvizjen e tyre një mashtrim. Ndërkohë që e vërteta e madhe është pikërisht në shesh.

E vërteta është se korrupsioni, arroganca dhe lidhjet me krimin nuk pranohen më.