Sarandë, gjendet një armë zjarri në shëtitoren e qytetit
Një armë zjarri është gjetur në orët e para të mëngjesit të sotëm në shëtitoren e Sarandës. Bëhet fjalë për një pistoletë tip “Glock”, e cila është konstatuar e hedhur në një nga lulishtet përgjatë shëtitores “Naim Frashëri”, mbi zonën e plazhit “Centrali”.
Arma është pikasur nga efektivët e Policisë Bashkiake të Sarandës, të cilët kanë siguruar menjëherë perimetrin e ngjarjes deri në mbërritjen e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit, me qëllim identifikimin e personit që ka hedhur armën e zjarrit në zonën publike.