'Jepe dorëheqjen!' Marshimi protestë kundër Ramës në Tiranë nuk ndalet as pas 5 orësh

Protesta nuk ndal në Tiranë. Prej orës 20:00 mijëra qytetarë vijojnë marshimin nëpër rrugët e Tiranës me thirrjet Rama jep dorëheqjen.

Nga ora 18:00 - 20:00 ata qëndruan para kryeministrisë. Protestuesit në fjalimet e tyre kanë akuzuar qeverinë si të zhytur në korrupsion, teksa kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama. 

Më pas protestuesit u shpërndanë në turma, duke marshuar në zona të ndryshme. Një shenjë solidarizimi dhe krejt ndryshe nga protesta te tjera ishte solidarizimi i drejtuesve të mjeteve, të cilët vazhdimisht iu binin borive, ndërsa disa të tjerë fikën mjetet dhe lejuan turmën të kalojë.

Disa prej shoferëve të mjeteve apo pasagjerët, kanë dalë nga mjetet dhe kanë përshëndetur protestuesit.

Për ditën e 10-të me radhë kanë vijuar protestat qytetare me kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Gjatë protestës para Kryeministrisë, qytetarët akuzuan Edi Ramën për korrupsion madhor dhe artikuluan kërkesën për krijimin e një qeverie kujdestare deri në zgjedhjet e reja. Protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera si në Lezhë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Lushnjë.