Atlético ironizon ofertën e Realit për Julián Álvarez, rrjetet sociale shpërthejnë në Madrid
Atlético Madrid ka reaguar me ironi ndaj ofertës së bërë nga Real Madrid për sulmuesin argjentinas Julián Álvarez, duke kthyer një nga temat më të nxehta të merkatos në një përplasje virtuale mes dy gjigantëve të Madridit.
Pas publikimit të ofertës prej 150 milionë eurosh nga Real Madridi, klubi “rojiblanco” ka reaguar menjëherë në rrjetin social X (ish-Twitter) me një postim ironik, duke përdorur edhe ‘emoji’ me të qeshur në referencë të drejtpërdrejtë ndaj komunikatës së klubit bardhezi.
Ky reagim ishte vetëm fillimi. Pak minuta më vonë, Atlético publikoi edhe një postim tjetër me ton sarkastik, të cilin e paraqiti si “komunikatë zyrtare për komunikatën zyrtare të fqinjëve”, duke vazhduar ironinë ndaj rivalëve të qytetit.
Në mesazhet e tij, klubi i kryeqytetit spanjoll ka përfshirë edhe disa komente thumbuese, duke aluduar në rivalitetin e madh historik mes dy klubeve dhe duke minimizuar ofertën e bërë për sulmuesin argjentinas.
Sipas komunikatës së mëparshme të Real Madridit, oferta prej 150 milionë eurosh ishte pjesë e një plani të madh të presidentit Florentino Pérez për të forcuar skuadrën. Megjithatë, Atlético Madridi e ka refuzuar menjëherë ofertën, duke theksuar se lojtari është i pashitshëm pa u paguar klauzola e plotë e lirimit.
Ky shkëmbim deklaratash dhe postimesh ka ndezur edhe më shumë rivalitetin mes dy klubeve të Madridit, duke e kthyer një çështje merkatoje në një spektakël të vërtetë në rrjetet sociale.