‘Arena Kombëtare’ bëhet gati për Europianin U-21, nis zëvendësimi i tapetit të fushës

Arena Kombëtare po i nënshtrohet një tjetër investimi të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Shqipëri dhe Serbi.

Punimet për zëvendësimin e tapetit të fushës kanë nisur tashmë në stadiumin kryesor të vendit. Tapeti ekzistues po hiqet për t’i lënë vendin një sipërfaqeje të re dhe më moderne, e cila pritet të përmbushë standardet më të larta të UEFA-s për organizimin e një eventi të tillë ndërkombëtar.

Pak javë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit miratoi fondin e nevojshëm për këtë ndërhyrje, duke e konsideruar atë një nga investimet kryesore në prag të Europianit të të rinjve.

Gjendja e fushës ka qenë shpesh objekt diskutimesh gjatë viteve të fundit, ndaj drejtuesit e futbollit shqiptar synojnë që me këtë investim të eliminojnë përfundimisht problemet që kanë shoqëruar sipërfaqen e lojës në stadiumin kombëtar.

Rëndësia e këtij projekti shtohet edhe më shumë nga fakti se finalja e Kampionatit Europian U-21 do të zhvillohet pikërisht në Arenën Kombëtare. Për këtë arsye, krahas rinovimit të tapetit, FSHF-ja ka planifikuar edhe investime të tjera në infrastrukturën sportive, me qëllim që Shqipëria të jetë plotësisht e përgatitur për të pritur një nga ngjarjet më të rëndësishme të futbollit europian për të rinjtë.