Kërkohet dëmshpërblim për arbitrin somalez të përjashtuar nga Botërori 2026
Rasti i arbitrit somalez, Omar Artan, vazhdon të shkaktojë reagime të forta në botën e futbollit. Pas refuzimit të hyrjes së tij në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Botërorin 2026, zëra të njohur të futbollit po kërkojnë që FIFA ta kompensojë financiarisht arbitrin.
Artan ishte pranë realizimit të një momenti historik, pasi do të bëhej arbitri i parë nga Somalia që do të gjykonte në një Kampionat Botëror. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk i lejuan hyrjen në vend, ndërsa FIFA ka bërë të ditur se nuk do të ndërhyjë në këtë çështje.
Një nga zërat më kritikë ka qenë ish-arbitri i FIFA-s dhe ish-drejtuesi i arbitrave profesionistë në Angli, Keith Hackett. Ai ka deklaruar se organizata botërore duhet t'i paguajë Artanit një shumë të barabartë me të ardhurat që do të përfitonte nga pjesëmarrja në turne.
Sipas Hackett, arbitrat në Botëror pritet të fitojnë rreth 86 mijë euro, ndaj FIFA duhet t'i japë këtë shumë arbitrit somalez dhe familjes së tij si formë kompensimi për mundësinë e humbur.
“Është shumë e padrejtë t'i mohohet një arbitri të ri mundësia për të gjykuar në një Botëror. Ai ka punuar me vite për të arritur në nivelin më të lartë”, deklaroi Hackett.
Reagime ka pasur edhe nga ish-ylli i Arsenalit dhe i kombëtares angleze, Ian Wright. Në rrjetet sociale ai e cilësoi situatën si një “Botëror të kaosit”.
“Çdo disa orë dëgjojmë histori të reja për tifozë, lojtarë, drejtues, gazetarë dhe tani edhe arbitra që nuk lejohen të hyjnë në vend. A është kjo mënyra se si një vend organizator duhet të presë turneun më të madh të futbollit?”, shkroi Wright.
Çështja e Omar Artan është bërë një nga polemikat më të mëdha të ditëve të fundit para fillimit të Botërorit 2026, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi trajtimin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë dhe rolin e FIFA-s në mbrojtjen e tyre.