VIDEO-SYRI TV/ Rama takon administratën në Fier, s'ndal fjalorin banal e seksist ndaj femrave

Kryeministri Rama sulmoi sërish protestuesit, të cilët prej 10 ditësh po kërkojnë dorëheqjen e tij. Gjatë një takimi me punonjësit e administratës shtetërore të qarkut Fier, Rama tentoi sërish të banalizojë protestën, duke sulmuar me fjalor vulgar dhe seksist protestueset femra.

Në të njëjtën kohë që mijëra qytetarë kërkonin dorëheqjen e tij nga sheshet kryesore të vendit, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me socialistët në Fier, në një përpjekje për të shtrënguar radhët e partisë së tij përballë zemërimit popullor për keqqeverisjen 13-vjeçare. Fjala e Kryeministrit para disa qindra punonjësve të administratës, të ardhur në Apoloni nga të gjitha rrethet e qarkut Fier, u përqendrua vetëm te protestat qytetare. Rama u duk qartësisht i shqetësuar nga kërkesa kryesore e qytetarëve, që është dorëheqja e tij, dhe deklaroi se protestuesit nuk mund t’ia kërkojnë largimin nga detyra.

Shefi i qeverisë tentoi sërish që të banalizonte protestën kundër keqqeverisjes së tij, duke u përpjekur të tërheqë vëmendjen përmes sulmeve seksiste ndaj femrave.

Protesta ka marrë vëmendjen absolute të Kryeministrit, i cili në një moment pranoi se i kishte kërkuar llogari dikujt pse i kishte dalë e dashura në tubim.

Gjatë këtij takimi u kuptua se deklaratat qesharake të ministrave të tij nuk ishin rastësore, por linjë zyrtare e qeverisë, pasi edhe vetë Rama tha se flamingot dhe pelikanët erdhën në lagunën e Nartës pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet.

Rama sulmoi edhe ish-kandidatin për president në radhët e demokratëve amerikanë, Berni Sanders, për të cilin tha se nuk e ka idenë ku i bie Shqipëria.

Aktiviteti u moderua nga ish-zëvendëskryeministrja e akuzuar për abuzime me tenderat, drejtuesja politike e këtij qarku, Belinda Balluku.