‘Rama në panik’, Zhulali: Protestat dhe vëmendja e mediave ndërkombëtare po rrisin presionin mbi qeverinë
Konferenca e fundit për shtyp e kryeministrit nxori në pah tension dhe frustrim të theksuar, të shoqëruar me një gjuhë arrogante.
E ftuar në Task Force, ekspertja për çështjet ndërkombëtare, Ilda Zhulali, u shpreh se vëmendja e mediave globale ndaj Shqipërisë pasqyron krizën e besimit në institucionet e qeverisë dhe pasigurinë politike që po mbizotëron vendin.
Pjesëmarrja masive qytetare në protesta dhe qëndrueshmëria e tyre tregojnë se populli është i vendosur, ndërsa qeveria duket e pafuqishme për të adresuar kërkesat dhe për të menaxhuar krizën.
Sipas Zhulalit, kjo situatë rrit presionin ndaj kryeministrit dhe ekspozon çdo gabim politik dhe strategjik të qeverisë.
Pjesë nga deklarata:
Në këtë konferencë për shtyp sot, kryeministri ishte edhe harbut, edhe folklorik, edhe tinëzar, një njeri i frustruar që donte të imponohej. Pra, ishte një njeri i gjendur në një vështirësi shumë të madhe; besoj që ky është konkluzioni që kanë nxjerrë gjithë ata gazetarë sot. Jo vetëm që nuk sqaroi asgjë dhe nuk dha asnjë lloj projeksioni se si do të jenë ditët e ardhshme, apo që qeverisja e tij është e shqetësuar. Përkundrazi, mendoj që të dyja palët janë ndarë nga ai takim edhe më fort në llogoret ku ishin sesa kur hynë. Kjo është e para që doja të thoja.
E dyta, sot Shqipëria është bërë një qendër e madhe e vëmendjes ndërkombëtare, që duket edhe paradoksale për një vend kaq të vogël si yni. E vërtetë, kohët e fundit kemi përfunduar shpesh si kryelajm botëror për protesta të ndryshme. Por kjo protestë ka marrë një vëmendje veçanërisht të madhe. Fakti që vjen dhe stacionohet CNN-i në Shqipëri, fakti që vjen agjencia Reuters dhe jep protestën live, janë fakte shumë domethënëse që duhet ta bëjnë Edi Ramën të reflektojë më shpejt se ç’ka menduar ai për të reflektuar në fakt.
Dhe pse mendoj unë që ka ardhur kjo? Mendoj që kemi tre elementë thelbësorë. E para është tipari ose karakteri i kësaj proteste. Fakti që kjo protestë është qytetare, shkon edhe pak me atë dëshirën që kanë dhe mediat për të dhënë histori të lëvizjeve qytetare, apolitike, por që ngrihen bashkë kundër një sistemi politik. Dhe kjo është ajo tërheqja e parë që krijoi kjo lëvizje.
Elementi i dytë që e ka amplifikuar jehonën ndërkombëtare është elementi Kushner dhe Trump, dhe Ivanka Trump, që lidhet drejtpërdrejt me presidentin Donald Trump, të cilin në fakt Edi Rama u përpoq ta shiste si një histori suksesi, përmes së cilës ai kishte blerë kredencialet e veta politike. Por në fakt tani u kthye e gjitha kundër.
Po të mos harrojmë, vetëm kaq, po të mos harrojmë se para pak muajsh ai bëri histori faktin që Ivanka Trump erdhi këtu dhe tha…
Po, e vërtetë, është e vërtetë. Pra, e ka vënë vetë ai në epiqendrën e historive mediatike, ndonjëherë gjysmë rozë, ndonjëherë me këtë natyrën transaksionale, por nga një përpjekje që ai u përpoq ta shiste si një histori suksesi të vetën, i është kthyer në një bumerang shumë të madh.Edhe falë këtij presioni kaq të madh mediatik, ku po të shikoni kryetitujt kryesorë të mediave amerikane, por edhe mediave evropiane, synojnë pikërisht tek ky element, pra elementi Kushner-Trump, për të cilin ka interes kaq të madh.
Dhe elementi i tretë, mendoj unë që ka gjetur këtë lloj jehone ndërkombëtare tërheqëse, është fakti që kjo protestë ka qenë përmasa e kësaj proteste dhe qëndrueshmëria e saj e kanë bërë edhe më tërheqës faktin që gazetarët të vijnë të kërkojnë informacion dhe ta ndjekin nga afër, sepse nëse protesta, për shembull, do kishte ndaluar ditën e dytë ose të tretë, do ishte shuar si lajm. Por protesta ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme çdo ditë, është shpërndarë në qytete të tjera të Shqipërisë dhe është shpërndarë edhe në qytete të tjera të botës. Pra, është shpërndarë dhe në…
Dhe kjo ia ka rritur atë, si të thuash, algoritmin dhe amplifikimin e saj edhe më tepër. Prandaj kjo vëmendje ndërkombëtare jo vetëm që nuk do të bjerë, por do të shtohet në ditët e ardhshme, dhe kjo do të shtojë edhe presionin ndaj Edi Ramës.