SKANDAL/ Drejtoresha e Spitalit Memorial Fier kërcënon punonjësit me largim nga puna nëse dalin në protesta
Gazetari Julian Hoxhaj bëri një denoncim të fortë në studion e Task Force, ku u shpreh se një valë shantazhesh dhe presionesh po godet administratën publike, duke kërcënuar drejtpërdrejt punonjësit e shtetit dhe familjarët e tyre.
Ai zbuloi se në Spitalin Memorial të Fierit, drejtoresha e komanduar Irena Goxhaj ka ushtruar presion përmes kërcënimeve me largim nga puna ose ulje në detyrë ndaj punonjësve të cilët ose familjarët e tyre kanë marrë pjesë në protesta kundër qeverisë.
Sipas Hoxhajt, ky mekanizëm shantazhi nuk është izoluar vetëm në Fier, por përdoret edhe në qytete të tjera, ndërsa struktura të njohura si “patronazhistë” monitorojnë qytetarët për të frenuar pjesëmarrjen në tubime.
Ai paralajmëroi se nëse këto presione nuk ndalen, fakte konkrete dhe dëshmi të plota të këtyre abuzimeve do të bëhen publike, duke treguar fytyrën e vërtetë të menaxhimit të administratës publike.
Pjesë nga deklarata:
Një denoncim në vazhdën e atyre denoncimeve që bëmë gjatë ditës së djeshme, sepse patronazhistët, por jo vetëm ata, edhe drejtuesit e institucioneve, dhe rasti konkret na vjen sot nga qyteti i Fierit, ku kryeministri Edi Rama dhe ish-zëvendësja e tij Belinda Balluku do të festojnë 32-vjetorin e Partisë Socialiste në Apolloni. Ndodhen në Fier; na vijnë denoncime të shumta dhe një ndër to është nga Spitali Memorial i Fierit, ku drejtoresha e komanduar e këtij spitali, Irena Goxhaj, ka nisur presionet ndaj punonjësve për të mos dalë në protesta, si dhe ndaj punonjësve familjarët e të cilëve kanë dalë në protesta.
Për administratën publike, pra është Spitali Memorial i Fierit, spitali turk siç e njohin ndryshe qytetarët, ku gjatë ditëve të fundit drejtuesja e komanduar e këtij institucioni i ka thirrur punonjësit dhe u ka bërë presion me largim nga puna ose me ndryshim të pozicionit të punës, për shkak se familjarët e tyre kanë dalë në protesta, apo edhe për shkak të rrethanave të ndryshme që kanë familjarët e tyre. Madje ne i kemi të gjitha me prova, por sot nuk mund t’i denoncojmë dhe t’i nxjerrim identitetet e personave që janë kërcënuar. Por në vijim, nëse kjo situatë do të rëndohet, patjetër që do t’i bëjmë publike, sepse po përdoret ky lloj mekanizmi për t’u bërë shantazh punonjësve të administratës dhe qytetarëve të cilët kanë lidhje të ndryshme me punonjësit e administratës, por që nga ana tjetër dalin dhe protestojnë kundër kësaj qeverie, që të mos marrin pjesë në protesta.
Dhe për hir të së vërtetës, gjatë ditëve të fundit kemi pasur shumë denoncime. E përmenda Fierin për shkak se sot është pikërisht festa ku do të marrin pjesë Edi Rama dhe Belinda Balluku, por ka pasur edhe në qytete të tjera, dhe kjo po vihet re edhe në pjesëmarrje.
Apo shumë qytetarë, po, janë shumë qytetarë të cilët stepen. Jo se s’dalë, jo se nuk duan të dalin. Dalin, por nuk shfaqen, sepse patronazhistët janë aty me telefonat në duar.