SYRI TV/ Zbardhet pengmarrja, Egland Koçi i zhdukur që prej datës 4 qershor
Zbardhet pengmarrja e 34 vjeçarit Egland Koçi, por ende nuk dihet fati i tij. I riu ishte denoncuar si i humbur nga familjarët e tij më 4 qershor. Policia kap një person, shpall në kërkim një tjeter, teksa gjen në makinën e sekuestruar njolla gjaku dhe grupi hetimor dyshon për ekzekutim dhe fshehje kufome.
Sipas policisë hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se i riu mund të jetë rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur. Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë çuar në identifikimin e shtetasit Armand Shakaj, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin. Ai është shpallur në kërkim policor, ndërsa strukturat e Policisë vijojnë operacionet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë. Sipas grupit hetimor nga ambienti ku dyshohej se mbahej i riu ka dalë autori që mund të ketë marrë me vete në makinë edhe 34 vjeçarin.
Policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme dhe në një sërë zonash të tjera, por pa mundur të gjejë gjurmë të 34-vjeçarit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia e Tiranës ka vënë në pranga Enea Zyferi 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin pas ngjarjes. Policia thekson se kërkimet për gjetjen e Egland Koçi vijojnë pa ndërprerje.
Sipas burimeve nga policia mësohet se Eglant Koçi ishte postieri që shkonte në pikat e këmbimit për të këmbyer kriptomonedhat me para cash. Puna e tij dyshohet se është shkaku që është marrë peng i riu, por policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.