Kultivuesit e qershive në Godolesh të Elbasanit në vështirësi, s’nxjerrin dot shpenzimet
Teksa jemi në sezonin e vjeljes së qershive, situata për fermerët në fshatin Godolesh të Elbasanit është tejet e vështirë. Për shkak të uljes së çmimit, ata shprehen se nuk nxjerrin dot as shpenzimet, ndërsa problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore, si dhe mungesa e vaditjes.
Syri TV
Në fshatin Godolesh të Elbasanit vijon sezoni i vjeljes së qershive, por për kultivuesit situata është tejet e vështirë. Sipas tyre, çmimi është ulur deri në 80 lekë të reja dhe nuk nxjerrin dot as shpenzimet. Për SYRI TV, fermerët shprehen se askush nuk i ka ndihmuar, edhe pse kërkesa e tyre e vetme mbetet një pikë grumbullimi, pasi largësia e fshatit bën që pak tregtarë të shkojnë për të blerë produktin për shkak të terrenit të vështirë. Për shkak të rrugës së amortizuar, ata detyrohen ta bëjnë transportin me kafshë, por kjo ua vështirëson edhe më tepër punën.
Problematika që del më në pah në sezonin e vjeljes së qershive vijon të jetë mungesa e fuqisë punëtore, pasi të rinjtë e zonës janë larguar nga vendi.
Tjetër vështirësi është edhe mungesa e ujit të vaditjes në tokat e mbjella.
Banorët bëjnë thirrje për ndihmë nga shteti, pasi në këto kushte e kanë të vështirë të vijojnë kultivimin e qershive dhe druhen se vitet e ardhshme numri i kultivuesve do të jetë në rënie.