Zyrtare/ Atalanta shkarkon Raffaele Palladinon, mësohet emri i ri që do të drejtojë Gjimshitin
Atalanta ka zyrtarizuar largimin e trajnerit Raffaele Palladino, në një vendim të papritur të marrë nga drejtuesit e klubit bergamask.
Në një komunikatë zyrtare, klubi bëri të ditur se Palladino është shkarkuar nga detyra e trajnerit të ekipit të parë, së bashku me të gjithë stafin e tij teknik. Në njoftim përfshihen edhe ndihmësit e tij: Stefano Citterio, Federico Peluso, Fabio Corabi, Nicola Riva, Mattia Casella, Andrea Ramponi dhe Andrea Berti.
“Atalanta falënderon Raffaele Palladinon dhe stafin e tij për angazhimin dhe punën e bërë, duke u uruar suksese në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e klubit.
Ky vendim hap menjëherë rrugën për një ndryshim të madh në pankinën e Atalantës, me Maurizio Sarri që pritet të marrë drejtimin e skuadrës si trajneri i ri.
Lëvizja vjen në një moment të rëndësishëm për klubin, i cili synon të riorganizohet dhe të rikthehet fuqishëm në garat vendase dhe evropiane. Zgjedhja e Sarrit shihet si një sinjal ambicieje për një projekt të ri teknik në Bergamo.