Ancelotti dhe Brazili kundër një tabuje historike: asnjë trajner i huaj nuk është shpallur kampion bote
Një nga rregullat e pashkruara më të forta në historinë e futbollit mund të marrë fund në Botërorin 2026. Deri më sot, asnjë kombëtare nuk ka fituar Kupën e Botës nën drejtimin e një trajneri të huaj, pavarësisht se shumë përfaqësuese e kanë provuar këtë rrugë.
Në një epokë globalizimi, ku futbollistët ndryshojnë kombëtare dhe luajnë në të gjitha anët e botës, fakti që asnjë trajner i huaj nuk ka ngritur trofeun më prestigjioz mbetet një nga tabutë më të mëdha të futbollit ndërkombëtar.
Historia njeh vetëm disa raste kur trajnerët e huaj iu afruan shumë suksesit. Njëri prej tyre ishte Ernst Happel, i cili e çoi Holandën në finalen e Botërorit 1978. Megjithatë, holandezët u mposhtën nga Argjentina në Buenos Aires.
Një tjetër rast ishte ai i anglezit George Raynor, i cili drejtoi Suedinë në finalen e Botërorit 1958. Por skuadra suedeze u mund 5-2 nga Brazili i udhëhequr nga legjenda Pelé.
Tani, në prag të Botërorit 2026, shumë besojnë se mund të jemi përballë një momenti historik. Vëmendja është e përqendruar te Carlo Ancelotti, i cili është bërë trajneri i parë jobrazilian në historinë e Brazilit. Emërimi i tij shkaktoi debat në vendin e futbollit, por prestigji dhe sukseset e italianit kanë bindur shumicën e tifozëve se ai mund ta rikthejë Seleçaon në majën e botës.
Përveç Ancelottit, edhe trajnerë të tjerë italianë do të jenë të pranishëm në turne. Vincenzo Montella do të drejtojë Turqinë, ndërsa Fabio Cannavaro ka marrë drejtimin e Uzbekistanit.
Botërori 2026 do të jetë gjithashtu një turne rekord për numrin e trajnerëve të huaj. Plot 26 nga 48 kombëtare pjesëmarrëse do të drejtohen nga trajnerë të lindur jashtë vendit që përfaqësojnë, pra më shumë se gjysma e pjesëmarrësve.
Mes emrave më të njohur janë Thomas Tuchel tek Anglia, Roberto Martinez te Portugalia, Graham Potter te Suedia, Rudi Garcia te Belgjika dhe Ralf Rangnick tek Austria.
Edhe në Amerikën e Jugut dominojnë trajnerët argjentinas. Gustavo Alfaro drejton Paraguain, Sebastián Beccacece është në stolin e Ekuadorit, ndërsa Marcelo Bielsa udhëheq Uruguain.
Një fakt interesant është se ky është Botërori i parë pa asnjë trajner brazilian në stolat e kombëtareve pjesëmarrëse. Në të kaluarën, përveç Brazilit, gjithmonë kishte të paktën disa përfaqësuese të tjera që mbështeteshin te teknikët brazilianë.
Në fund, dy emra dalin si kandidatët më seriozë për të thyer mallkimin historik të trajnerëve të huaj: Carlo Ancelotti me Brazilin dhe Thomas Tuchel me Anglinë. Nëse njëri prej tyre do të arrijë ta fitojë Botërorin, futbolli do të shohë fundin e një tradite që ka zgjatur që nga krijimi i Kupës së Botës.