Teuta nis merkaton me një goditje të madhe, firmos me mbrojtësin kampion

Teuta ka zyrtarizuar afrimin e parë për sezonin e ri, duke siguruar shërbimet e mbrojtësit të djathtë, Abdurrahman Fangaj. Futbollisti 28-vjeçar i është bashkuar skuadrës durrsake vetëm një ditë pasi mbylli bashkëpunimin me Egnatian.

Ky transferim konsiderohet si sinjali i parë i ambicieve të trajnerit Edlir Tetova dhe drejtuesve të klubit për të ndërtuar një skuadër konkurruese në sezonin e ardhshëm. Teuta synon të rikthehet mes ekipeve pretendente dhe Fangaj shihet si një përforcim me shumë vlerë falë përvojës së tij në futbollin shqiptar.

Mbrojtësi shkodran vjen pas katër sezoneve të suksesshme me Egnatian, ku ishte një nga titullarët më të rëndësishëm të skuadrës. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi tre tituj kampionë, tri Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë, duke qenë pjesë e suksesit historik të klubit nga Rrogozhina.

Fangaj iu bashkua Egnatias në vitin 2022 pas largimit nga Vllaznia. Me fanellën e kampionëve të Shqipërisë ai zhvilloi 171 ndeshje zyrtare, shënoi një gol dhe dhuroi 16 asistime, duke u dalluar për qëndrueshmërinë dhe kontributin në të dyja fazat e lojës.

Në njoftimin zyrtar, Teuta i uroi mirëseardhjen lojtarit të ri, duke theksuar se afrimi i tij sjell eksperiencë, cilësi dhe siguri në repartin mbrojtës.

Pas kësaj lëvizjeje të rëndësishme, pritet që klubi durrsak të vazhdojë aktivizimin në merkato me afrime të tjera cilësore, në përpjekje për të ndërtuar një skuadër që do të synojë objektiva madhorë në sezonin e ardhshëm.