Alarm për Botërorin 2026: 180 mijë bileta në rishitje, frikë për tribuna bosh

Vetëm pak më shumë se 48 orë para nisjes së Botërorit 2026, çështja e biletave vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara rreth turneut që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Sipas raportimit të gazetës britanike ‘Financial Times’, në platformën zyrtare të rishitjes së biletave të FIFA ndodhen aktualisht rreth 180 mijë bileta të nxjerra në shitje për ndeshjet e fazës së grupeve.

Shifrat kanë ngritur shqetësime për mundësinë që disa stadiume të mos mbushen plotësisht gjatë turneut, pavarësisht pritshmërive të larta për ngjarjen më të madhe të futbollit në botë.

Nga 104 ndeshjet që do të zhvillohen në këtë edicion të Kupës së Botës, ende ka bileta në dispozicion për 87 prej tyre. Pjesa më e madhe e këtyre biletave gjenden në sistemin e rishitjes, ndërsa në shumë raste çmimet e tyre janë më të larta se ato fillestare.

FIFA ka qenë prej kohësh në qendër të kritikave për çmimet e larta të biletave, veçanërisht për ndeshjet që do të luhen në SHBA. Kjo situatë duket se ka ndikuar në interesin e tifozëve për disa takime të fazës së grupeve, duke bërë që një numër i konsiderueshëm biletash të rikthehen në treg.

Megjithatë, jo të gjitha ndeshjet po hasin të njëjtin problem. Sipas raportit, sfidat e Portugalisë kanë qenë ndër më të kërkuarat nga tifozët, duke regjistruar një interes të madh në tregun e biletave.

Botërori 2026 do të nisë me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Megjithatë, ndërsa ekipet po përgatiten për spektaklin në fushë, organizatorët vazhdojnë të përballen me sfidën e mbushjes së tribunave në disa prej stadiumeve të turneut.