Atletico Madridi kërkon 40 milionë euro për Sorloth-in, refuzohet oferta e Juventusit

Sipas raportimeve të medies spanjolle AS, negociatat mes Atletico Madridit dhe Juventusi për transferimin e sulmuesit Alexander Sorloth janë duke vazhduar, por aktualisht një marrëveshje duket e vështirë për t’u arritur.

Burimet bëjnë të ditur se ekziston një diferencë e konsiderueshme mes ofertës së klubit italian dhe kërkesës së madrilenëve. Juventusi ka ofruar rreth 22 milionë euro për kartonin e sulmuesit norvegjez, ndërsa Atletico Madridi kërkon plot 40 milionë euro për të lejuar largimin e tij gjatë merkatos së verës.

Përveç Juventusit, interesim për shërbimet e Sorloth-it ka shfaqur edhe Milani, i cili po monitoron situatën e lojtarit në kërkim të përforcimeve për repartin ofensiv.

Sorloth iu bashkua Atletico Madridit në verën e vitit 2024 nga Villarreali për një shumë prej 32 milionë eurosh. Sulmuesi norvegjez ka treguar paraqitje të mira me skuadrën spanjolle dhe mbetet një element i rëndësishëm në organikën e ekipit.

Aktualisht, 30-vjeçari ka edhe dy vite kontratë me Atletico Madridin, çka i jep klubit spanjoll një pozicion të fortë në negociata. Për këtë arsye, drejtuesit e Atletico-s nuk duken të gatshëm të ulin ndjeshëm kërkesat e tyre financiare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Juventusi apo Milani do të rikthehen me oferta më të larta në ditët në vijim.