'Administrata flet më shumë sesa punon/ Haxhimali: Zmadhimi i bashkive nuk ndali emigrimin e boshatisjen
Drejtori i Institutit të Bashkive, Agron Haxhimali, i ftuar në një intervistë për Syri TV me gazetarin Arnold Kariqi, deklaroi se procesi i dëgjesave publike për rishikimin e reformës territoriale po shkon drejt përfundimit, ndërsa shqetësimet e qytetarëve dhe përfaqësuesve vendorë kanë qenë të shumta.
Sipas Haxhimalit, deri tani janë zhvilluar takime dhe dëgjesa në 10 qarqe të Shqipërisë, ndërsa kanë mbetur për t’u realizuar vetëm në qarqet e Tiranës dhe Korçës.
Haxhimali theksoi se në pothuajse të gjitha dëgjesat është evidentuar kundërshtimi ndaj mundësisë së reduktimit të mëtejshëm të numrit të bashkive, sipas një modeli që do t’i afronte ato me ish-rrethet.
Sipas tij, bashki si Vau i Dejës, Poliçani dhe të tjera kanë paraqitur argumente të forta kundër shkrirjes së tyre me njësi më të mëdha administrative.
Ai solli si shembull edhe kërkesat e komuniteteve të ndryshme në vend, ku qytetarët e Orikumit kanë kërkuar rikthimin e bashkisë së tyre, ndërsa në zona të tjera si Shpiragu në Berat, Velipoja në Shkodër dhe komunitete të tjera në qarqe të ndryshme janë shprehur në favor të një modeli të ri të qeverisjes vendore që u garanton më shumë afërsi me shërbimet publike.
Drejtori i Institutit të Bashkive ngriti shqetësimin edhe për mënyrën e organizimit të administratës publike, duke përmendur raste kur shërbime të rëndësishme janë zhvendosur larg qytetarëve.
Më tej, Haxhimali theksoi se gjatë dëgjesave ka vënë re një nivel të lartë pakënaqësie dhe mosbesimi ndaj institucioneve, duke kërkuar ndërtimin e një modeli të ri qeverisës që vendos qytetarin në qendër.
Haxhimali:
Atëherë kemi mbaruar takimet dhe dëgjesat në 10 qarqe të Shqipërisë. Kanë ngelur për t'u bërë dëgjesa në qarkun Tiranë dhe në qarkun Korçë, besoj do të mbyllet javës tjetër. Kemi dëgjuar në kuvend, në komision, të gjithë kryetarët e bashkive, me përjashtim të disa kryetarëve të bashkive të mëdha qendër qarku.
Pra po i afrohemi drejt fundit. Secili nga ne ka mbajtur shënime, ka dëgjuar me shumë kujdes grupet e ndryshme të interesit, aktorë politikë, jo politikë, qytetarë, shoqërinë civile nga të gjitha zërat, që në tërësi nëse unë i përmbledh rezulton që janë shumë të shqetësuar, kanë shumë ankesa. Nuk ishte kjo, ky rezultat i kësaj reforme që ato pritnin, ndaj vërtet jemi në momentin e duhur për ta rishikuar.
Shiko, jo vetëm me këto zoti Kariqi, por po të thuash se mos e ekzagjeroj, por në 100% të dëgjuesve të këtyre bashkive që ju thoni, por edhe të bashkive të tjera, Vau Dejës, Poliçani apo mjaft e mjaft bashki të kësaj natyre, që potencialisht nëse shkohet në qasjen e Partisë Socialiste, pra të mazhorancës për një rrudhje të numrit të bashkive për të kaluar tek një model 36 rretheve po të thuash se, këto bashki rrezikojnë t'i bashkëngjiten bashkive më të mëdha. Ato kanë bërë një oponencë shumë të mirë, kanë bërë një arsyetim shumë të drejtë, shumë të qenësishëm.
Jo vetëm për ne si ekspertë, na kanë kontaktuar, na kanë parashtruar informacione shumë bindëse. Edhe pse vetë jam i bindur, por për hir të së vërtetës kanë bindur edhe politikanët, qoftë të majtë, qoftë të djathtë, duke parashtruar disa arsye pse ato nuk duhet të shkrihen. Për arsye të largimit të shërbimit, përfaqësimit e të tjera, ruajtjes së identitetit, historisë, kulturës dhe traditës. Por ka pasur edhe raste të tjera, për shembull Orikumi, qytetarë të Orikumit u ngritën dhe kërkuan na ktheni në bashkinë që kemi qenë. Qytetarë të tjerë të zonave të ndryshme, në Berat për shembull Shpiragu apo disa bashki të tjera, po kështu në Shkodër Velipoja, apo mjaft në të gjithë qarqet e tjera kërkojnë të krijojnë një model të ri të qeverisjes vendore që u shkon më afër shërbimit të tyre. Unë i mbështes në fakt, janë në të drejtën e tyre dhe duhet dëgjuar me kujdes, pavarësisht modelit të qeverisjes që mund të ndërtojmë, kanë nevojë të dëgjohen këto komunitete. Arsyetojnë shumë mirë për hir të së vërtetës, me argumenta shumë bindës.
Ky është thelbi zoti Kariqi që ne duhet të pranojmë një fakt që zmadhimi i 2014-ës nuk na çoi aty ku duhet. U provua që nuk arriti t'i mbajë njerëzit në zonat e tyre, në fshatrat e tyre, kryesisht në zona rurale kemi një boshatisje jashtëzakonisht të madhe, por edhe në zona urbane. Duhet të themi një të vërtetë që largimet dhe emigrimi nuk ka shkakun kryesor hartën territoriale. Ka mungesën e shërbimeve, mungesën e përfaqësimit, i kemi braktisur qytetarët, nuk iu kemi ofruar atë që iu kemi premtuar, as kohezion social, as siguri publike, as shërbime me ujësjellësa, me kanalizime. Në dimër përmbyten apo bllokohen nga bora, në verë digjen.
Pra mbrojtja sociale, mbrojtja civile dhe elementë të tjerë, infrastruktura rurale, por jo vetëm, arsimi, shëndetësia, janë probleme kryesore. Por kjo reformë e konfiguruar në mënyrë të tillë, ku zgjerohen territore pafund e ka ndihmuar sado pak emigrimin. Ndaj janë në të drejtën e tyre qytetarët të kërkojnë një pushtet më afër, të kërkojnë territore më të menaxhueshme, më pranë tyre dhe kjo është krejt normale. Arnold më lejo të them që në 12 takimet nëpër qarqe kam vënë re shumë akumulim, shumë qejfmbetje, shumë të shqetësuar, shumë kritikë për ne që ishim ulur në ato tavolina dhe i dëgjonim. Si duket, qytetarëve me thënë të drejtën janë mbushur aq shumë me fjalë, me diskutime reformë sot, reformë nesër, premtim sot, premtim nesër, Evropa dje, Evropa sot.
Por qytetarët kanë kuptuar fare mirë që kjo administratë është më tepër një administratë që e ka progresin shumë të limituar. Më shumë flet sesa punon, më shumë propagandon sesa ofron shërbime për qytetarët. Ndaj jemi në një situatë të tillë që 35 vite pas demokracisë dhe sidomos këtë dekadën e fundit Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Edhe nga pikëpamja ime po e them, ka nevojë për një shkundje shumë të madhe, ka nevojë të ndërtojmë një sistem, një arkitekturë shteti që të jetë shtet për qytetarët dhe jo shtet mbi qytetarët.
Të jetë strukturë qeverisëse ku qytetarët sipas çdo përfaqësimi, kategorizimi, niveli ekonomik apo social të jenë pozicionuar fuqishëm dhe t'u dëgjohet zëri në këtë arkitekturën e këtij shteti, jo të jenë të shpërfillur. Kanë nevojë qytetarët të kenë një administratë civile të ndershme t'ju shërbejë, jo një administratë patronazhiste që rend pas takimeve elektorale apo të korruptuar apo me një mungesë transparence.
Ne dëgjonim qytetarë që thonin: mo po kam disa vite, e kam çuar letrën për pronën time, nuk e kam marrë, kam bërë këtë kërkesë, nuk e kam marrë. Zyrat e arsimit nga Dibra kanë shkuar në Durrës, nga Dibra kanë shkuar në Kurbin, nga Gjirokastra kanë shkuar në Lushnje, nga Berati në Korçë.
Pra shiko se sa keq e organizuar është arkitektura e administratës publike. Pra, mirë që është vendosur keq, por edhe nuk shërben mirë dhe kjo krijon një distancë shumë të madhe për qytetarët, i zhgënjen shumë, ju krijon atë bindjen...