Berisha në burg, njësoj si Rugova

Nga Çim Peka

Shumëkujt i ka bërë përshtypje thirrja e disa zërave protestues kundër Berishës. Dhe nxitimi i mediave të majta, që në pamundësi për ta mbrojtur Ramën, bashkojnë edhe kundërshtarin e tij, është i kuptueshëm.

Larmia e pjesëmarrësve në protestë është po aq e madhe sa dhe larmia e problemeve për të cilat protestojnë. Për të dalluar se kush qëndron pas thirrjeve ‘Berisha i shitur tek Rama’ apo ‘Rama në burg, Berisha në burg’, mjafton të shkosh herët në protestë dhe ai i gjen, me shirita në krah, për t’u dalluar nga të tjerët.

Parullat e neo-marksistëve të ‘Kinostudios Shqipëria e Re’ ngjajnë si dy pika uji me parullat kundër Ibrahim Rugovës gjatë luftës dhe menjëherë pas saj, që e etiketonin Rugovën si të shitur tek Millosheviçi. Rugova ishte i burgosur nga satrapi serb, sikurse Berisha u burgos nga satrapi shqiptar. Rugova doli nga burgu, u kthye çlirimtar në Prishtinë dhe, menjëherë pas luftës, i fitoi zgjedhjet kundër atyre që e kishin quajtur tradhtar.

Kur neo-marksistët e Tiranës ushqeheshin me fondet e fondacioneve të majta, Sali Berisha bënte burg me urdhër të Ramës. Rikthimi i tij në politikë, burgosja e tij dhe protestat e vazhdueshme opozitare janë faktorët dhe arsyet se pse sot këta të rinj dhe të reja kanë mundësi të protestojnë. Qëndresa e tij i vuri deri diku fre sundimit të Ramës. E lodhi dhe e masakroi. Pa atë sakrificë të tij dhe të mijëra demokratëve, sot nuk do të mund të dilte njeri dhe të protestonte.

Sot, sheshi i mbushur plot është i të gjithëve. I atyre pa parti, i demokratëve, i socialistëve të lodhur, i neo-marksistëve. Kosova u bë e pavarur sepse për 20 vjet Rugova mbajti gjallë frymën e qëndresës. Shqiptarët kanë zaptuar sheshet sot sepse Sali Berisha hëngri të gjitha goditjet dhe mbajti gjallë frymën e qëndresës.

Kjo protestë e mrekullueshme nuk është thirrur nga demokratët, por nuk do të ishte e mundur pa demokratët. Çdo ditë po i bashkohen shqiptarët, jo vetëm ata që kanë mbetur këtu, por nga e mbarë bota, duke e bërë atë edhe më madhështore.

Por ditën kur demokratët do të dynden nga të gjitha anët e Shqipërisë, prindërit e shumicës së atyre të rinjve që sot kanë zbukuruar sheshin, ajo do të jetë krejt tjetër. E nesërmja do të jetë një ditë e re. Atëherë do të kuptojnë neo-marksistët me pelikan se çfarë është sheshi dhe çfarë është opozitarizmi i vërtetë.