Zhdukja e Eglant Koçit/ Njolla gjaku në makinën e sekuestruar, ngrihen dyshime për ekzekutim dhe fshehje kufome
Hetimet për zhdukjen misterioze të Eglant Koçit, 34 vjeç, kanë marrë një kthesë të re, pasi në automjetin e sekuestruar nga policia janë konstatuar njolla gjaku, fakt që ka shtuar dyshimet e hetuesve se i riu mund të jetë vrarë dhe trupi i tij të jetë fshehur.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se automjeti, i cili dyshohet se është përdorur për transportimin e Koçit pas kontaktit të fundit me të, është nën ekspertizë të imtësishme kriminalistike. Njollat e gjakut të gjetura në mjet pritet t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse i përkasin 34-vjeçarit të zhdukur.
Ky zhvillim ka forcuar dyshimet se ngjarja mund të mos jetë thjesht një rast pengmarrjeje, por një krim më i rëndë. Hetuesit po verifikojnë tashmë edhe pistën e një ekzekutimi të mundshëm dhe fshehjes së kufomës.
Në kuadër të hetimeve, policia ka zhvilluar kontrolle në disa zona periferike të Tiranës, të konsideruara me interes për zbardhjen e ngjarjes. Kërkimet janë përqendruar në ambiente të izoluara, zona të braktisura dhe territore ku dyshohet se mund të jetë transportuar ose fshehur trupi i 34-vjeçarit.
Paralelisht, grupi hetimor po analizon dhjetëra orë pamje filmike nga kamera sigurie publike dhe private, në përpjekje për të dokumentuar lëvizjet e personave të dyshuar dhe për të rindërtuar itinerarin e plotë të ngjarjes.
Për këtë çështje, policia ka shpallur në kërkim Armand Shakajn, 41 vjeç, i dyshuar si autor i pengmarrjes së Eglant Koçit, ndërsa ka arrestuar Enea Zyferin, 25 vjeç, nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.