Dy turistët gjermanë humbin në Malësinë e Polisit, prej 48 orësh asnjë kontakt

Dy turistë gjermanë raportohen të humbur prej rreth 48 orësh në zonën malore të Polisit, në Bashkinë e Librazhdit.

Sipas informacioneve paraprake ata kishin nisur një ekspeditë në Malësinë e Polisit, por që prej dy ditësh guida që i shoqëronte ka humbur kontaktet me ta.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit ka nisur një operacion kërkimi në terren në të cilin po marrin pjesë efektivë policie, ekipe të emergjencave civile si dhe banorë vendas që e njohin mirë zonën.

Burime bëjnë me dije se zona ku mendohet se ndodhen turistët është shumë e vështirë për t’u arritur dhe nuk ka sinjal celular e deri tani nuk është mundur të vendoset asnjë lidhje me ta, as të identifikohet ndonjë gjurmë nga pajisjet GPS që mund të kenë pasur.