Hargreaves: Pavarësisht rezultateve, bashkëpunimi i partive i nevojshëm

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves gjatë vizitës së tij në Qendrën Komunale të Numërimit në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, dha e mesazhin e unifikimit politik për të gjetur konsensus drejt formimit të institucioneve të vendit.

“Mesazhi im për partitë politike është i njëjtë siç ka qenë gjatë gjithë kohës. Është e qartë se cilat do qofshin rezultatet e sakta të këtij procesi, do të jetë e nevojshme të ketë bashkëpunim mes partive politike. Ky vend ka një kushtetutë të fortë, e cila i ka shërbyer shumë mirë gjatë 18 viteve të fundit, dhe ajo kërkon që politikanët të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Ata duhet të bëhen bashkë për të formuar një kuvend, një qeveri dhe për të zgjedhur një president. Kjo është ajo që shpresoj se do të ndodhë sapo rezultatet të bëhen të qarta”, tha ai, para medieve.

Ambasadori foli për pjesëmarrjen e ultë në zgjedhje, duke thënë se votuesit janë lodhur nga proceset e shpeshta.

“Është e dukshme se pjesëmarrja ishte mjaft e ulët. Unë e kam kuptuar edhe para zgjedhjeve nga bisedat me qytetarët, kisha përshtypjen se njerëzit ishin mjaft të lodhur dhe po përjetonin një lloj lodhjeje nga mbajtja e kaq shumë zgjedhjeve në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Dyshoj se kjo mund të jetë një nga arsyet që ka ndikuar në nivelin e pjesëmarrjes”, u shpreh ai.

Ai nënvizoi faktin se duhet pritur edhe votat e diasporës dhe të tjerat në mënyrë që të kuptohet se si ka qëndruar pjesëmarrja në këto zgjedhje në mënyrë të plotë.

Ai ka shprehur mirënjohjet e tij ndaj komisionerëve të cilët po numërojnë votat në QKN dhe kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqin për punën e tyre drejt ruajtjes së integritetit të procesit.

“U uroj atyre suksese në atë që duket si një punë shumë e vështirë. Por unë vërtet shpresoj që ky proces të vazhdojë pa probleme dhe shpejt, në mënyrë që të gjithë të mësojmë për rezultatin dhe të gjithë të jemi të bindur te rezultati sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do t’i mundësojë vendit të kalojë në fazën tjetër, të formojë një kuvend, një qeveri dhe të zgjedhë një presidenti”, tha ai./ RTK.