8 vjet pa Fadil Vokrrin, Agim Ademi: Përherë në kujtimet tona, la gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë
Sot mbushen tetë vjet nga ndarja nga jeta e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, një prej figurave më të rëndësishme në historinë e sportit në Kosovë.
Me rastin e kësaj përvjetori, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar ish-presidentin e FFK-së me një mesazh emocionues, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha për futbollin dhe shtetin e Kosovës.
“Fadil Vokrri nuk ishte vetëm futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova në vitet ’80, por edhe një njeri që e besoi ëndrrën e Kosovës kur ajo dukej e paarritshme. Ai punoi pa u ndalur për ta bërë realitet”, shkroi Ademi.
Kreu i FFK-së kujtoi se numri 9, që e shoqëroi Vokrrin gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist, mori një domethënie edhe më të veçantë pasi ai u nda nga jeta pikërisht më 9 qershor të vitit 2018.
Ademi vlerësoi rolin vendimtar të Vokrrit në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke theksuar se trashëgimia e tij mbetet e pashlyeshme.
“Nga sukseset në fushën e blertë deri tek udhëheqja e futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, ai la gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë. Data 9 qershor na kujton dhimbjen e humbjes së tij, por edhe përgjegjësinë për të vazhduar rrugën që ai ndërtoi”, u shpreh Ademi.
Tetë vjet pas largimit të tij, Fadil Vokrri vazhdon të mbetet simbol i krenarisë, frymëzim për brezat e rinj dhe një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit kosovar.