Thirrje për dorëheqjen e Ramës, protesta qytetare mbledh nesër gjithë Shqipërinë në Tiranë

Të mërkurën, më 10 qershor, pritet të mbahet një protestë mbarëkombëtare në Tiranë kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura dhe në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Zvërnecit, ku ndër kërkesat e artikuluara është edhe thirrja për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë mjedisorë dhe qytetarë u mblodhën edhe këtë të hënë në Sheshin “Skënderbej”, duke marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe duke u ndalur përpara Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit mbanin pankarta me slogane si “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga Narta”, ndërsa kërkonin ndalimin e projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë ekosistemet natyrore dhe pasuritë publike të vendit, si dhe përgjegjësi politike për situatën e krijuar, përfshirë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.

Organizatorët kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që, sipas tyre, kanë dobësuar mbrojtjen e zonave të mbrojtura, anulimin e projekteve në territorin e Zvërnecit dhe garantimin e konsultimeve publike për çdo ndërhyrje në zona me rëndësi të veçantë mjedisore. Në protestat e deritanishme janë artikuluar gjithashtu kërkesa për rishikimin e statusit të investitorëve strategjikë dhe ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Çështja e Zvërnecit ka kaluar prej ditësh kufijtë e debatit vendas. Protestat kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare si Reuters, Associated Press, Financial Times dhe The Guardian, të cilat kanë raportuar për kundërshtimin ndaj projekteve të zhvillimit turistik të lidhura me investime të mëdha të huaja në zonën e Sazanit dhe peizazhit të mbrojtur Vjosë–Nartë.

Aktivistët argumentojnë se zona e Vjosë–Nartës përfaqëson një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri, habitat i flamingove, shpendëve shtegtarë dhe specieve të tjera të mbrojtura. Sipas tyre, çdo ndërhyrje duhet të paraprihet nga transparencë e plotë, studime të pavarura mjedisore dhe konsultim publik.

Ndërkohë, mbështetja për protestuesit ka nisur të shfaqet edhe jashtë vendit. Ditët e fundit janë organizuar tubime solidariteti nga aktivistë dhe organizata mjedisore në qytete të ndryshme evropiane. Organizatorët e protestës së 10 qershorit u bëjnë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi që t’i bashkohen tubimit, duke argumentuar se beteja për Zvërnecin nuk lidhet vetëm me një projekt të vetëm zhvillimi, por me mënyrën se si do të trajtohen në të ardhmen zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë.