Dumfries firmos me Real Madridin, zbulohen detajet e kontratës së mbrojtësit holandez
Denzel Dumfries mund ta konsiderojë veten tashmë një futbollist të Real Madridit, edhe pse zyrtarisht vazhdon të jetë pjesë e Interit deri në finalizimin e procedurave të transferimit.
Sipas raportimeve të Fabrizio Romano-s, mbrojtësi holandez ka arritur marrëveshjen e plotë me klubin spanjoll dhe ka firmosur kontratën që do ta lidhë me “Los Blancos” për katër sezonet e ardhshme.
Burimet bëjnë të ditur se Dumfries i ka kryer tashmë vizitat mjekësore, pasi kishte njoftuar më herët drejtuesit e Interit për vendimin e tij.
Futbollisti po përgatitet për transferimin në Madrid, ku pritet të ketë një rol të rëndësishëm në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Interi, nga ana e tij, nuk ka pasur mundësi të bllokojë largimin e lojtarit, pasi në kontratën e Dumfries-it ekzistonte një klauzolë lirimi.
Falë saj, zikaltrit do të arkëtojnë 20 milionë euro nga operacioni.
Prezantimi zyrtar i Denzel Dumfries-it me fanellën e Real Madridit pritet të bëhet menjëherë pas prezantimit të José Mourinho-s si trajner i ri i skuadrës madrilene, në një verë që premton ndryshime të mëdha në “Santiago Bernabéu”.