Sekuestrimi i 80 kg kokainë në Spanjë/ Kapet në Shqipëri koordinatori i rrjetit të trafikut

Autoritetet shqiptare kanë arrestuar një shtetas të dyshuar si koordinatori i një rrjeti që tentoi të rikuperonte mbi 80 kilogramë kokainë të sekuestruar në muajin shkurt në portin e Vigos, në Spanjë.

Sipas medieve spanjolle, ai ishte larguar nga Vigo pak ditë para se dy bashkëpunëtorë të tij të arrestoheshin gjatë operacionit antidrogë.

Ngarkesa e drogës ishte fshehur në sistemin e ftohjes së një kontejneri që kishte mbërritur nga Ekuadori. Pas zbulimit të saj nga autoritetet doganore dhe Guardia Civil, u organizua një operacion për të identifikuar personat që do të tentonin ta nxirrnin drogën nga porti.

Dy shtetas shqiptarë u arrestuan në flagrancë ndërsa po përpiqeshin të hynin në zonën portuale për të marrë ngarkesën.

Gjatë operacionit u sekuestruan më shumë se 80 kilogramë kokainë, si dhe mjete që dyshohet se do të përdoreshin për nxjerrjen e drogës nga kontejneri.

Hetimet e autoriteteve spanjolle çuan në identifikimin e një organizate kriminale me lidhje ndërkombëtare, ndërsa arrestimi i fundit në Shqipëri konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në zbardhjen e plotë të çështjes.

Sipas raportimeve, hetimet vazhdojnë dhe nuk përjashtohen arrestime të tjera në lidhje me këtë rrjet të dyshuar të trafikut të drogës.