Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë/ Dalin tezat e provimit, publikohen në rrjetet sociale

Më pak se një orë nga nisja zyrtare e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për maturantët, ka nisur të qarkullojë dhe teza e provimit.

Syri ka siguruar kopje të tezës që qarkullon mes nxënësve dhe prindërve, si dhe në ambientet shkollore ku po mbahen provimet e maturës.

Tezat po qarkullojnë në rrjetet socialet, përmes një faqeje @studentët_denoncojnë, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin mbi mbarëvajtjen e provimit për maturantët nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive përkatëse rajonale arsimore.

Sot rreth 26 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Provimi do të zhvillohet në ambientet e shkollave të mesme që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Nxënësit paraqiten në orën 08:30, ndërsa provimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30.

Ministria e Arsimit ka përcaktuar një sërë rregullash për zhvillimin e provimit. Të gjithë maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi dhe të jenë të veshur në mënyrë të rregullt, preferohet me uniformën e shkollës.

Gjatë provimit ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike. Testi duhet plotësuar me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët janë të detyruar të firmosin në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit.