Kundër Putinit, fitorja është e vetmja strategji e mundshme
Nëse udhëheqësit europianë nuk angazhohen plotësisht për Ukrainën, Kremlini nuk do të ndalet te Kievi. Por me mbështetjen tonë, despoti mund të mposhtet.
Nga Garry Kasparov – The Telegraph/
Kohët e fundit kemi dëgjuar nga disa qarqe europiane se ekziston dëshira për ta lënë mënjanë Donald Trump-in në negociatat e vazhdueshme me Putinin për luftën në Ukrainë. Megjithatë, nuk kam dëgjuar asnjë diskutim për mënyrën se si do të ndryshojnë objektivat e këtyre negociatave.
Për Trump-in, negociatat kanë qenë gjithmonë një mënyrë për të nxjerrë përfitime financiare nga kundërshtarët, edhe kur kjo ka nënkuptuar detyrimin e aleatëve për të bërë lëshime. Por çfarë synojnë të arrijnë udhëheqësit europianë nga negociatat me Putinin? Cili është qëllimi i marrjes në dorë të bisedimeve që po drejtohen nga një administratë thellësisht e korruptuar dhe e falimentuar moralisht, në marrëdhënie me një regjim autoritar të etur për gjak?
Europa e ka kuptuar prej kohësh se lufta që vazhdon në Ukrainë nuk është thjesht një luftë për territorin ukrainas; është një luftë që prek të gjithë Europën. Është një luftë për të vendosur nëse do të jetojmë në një botë ku liria dhe demokracia janë vlerat mbizotëruese, apo në një botë ku forca përcakton të drejtën. Në një luftë të tillë nuk mund të ketë kompromis dhe as marrëveshje të negociuar.
Për më tepër, luftëra të tilla nuk vendosen nga parametra të ngushtë teknikë. Dorëzimi i qoftë edhe një pjese të territorit ukrainas do të qetësonte vetëm përkohësisht makinën luftënxitëse të Rusisë së Putinit, përpara se ajo të vazhdonte më tej, përtej kufijve të NATO-s, drejt vendeve baltike dhe gjithnjë e më afër dyerve të demokracive perëndimore të Europës.
Ku mendojmë se do të shkojnë një milion ushtarët e rinj rusë të dërguar në Ukrainë kur të përfundojë kjo luftë? A besojmë se, të zemëruar, të zhgënjyer dhe të traumatizuar nga lufta, ata do të mund të riintegrohen lehtësisht në shoqërinë ruse?
Sigurisht që jo. Ata do të dërgohen në fushëbetejën e radhës. Regjimi i Putinit nuk mund të mbijetojë më pa u mobilizuar për luftë; ai e ka orientuar të gjithë aparatin ekonomik, politik dhe kulturor të vendit drejt këtij qëllimi. Pa luftën si justifikim, Putini nuk ka bazë për të qëndruar në pushtet, madje as për të mbijetuar politikisht.
Përveç kësaj pamundësie të kahershme për negociata, edhe situata praktike në fushëbetejë po ndryshon. Të gjithë treguesit e fundit tregojnë se Putini ndodhet në një pozitë të pafavorshme dhe se Ukraina tani ka avantazhin. Vizita e fundit e Putinit në Kinë nuk ishte e suksesshme; XiJinping duket se nuk është i gatshëm të vazhdojë të parapaguajë për gazin rus dhe kështu të mbulojë pjesërisht kostot e aventurave ushtarake të Putinit.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të makinerisë propagandistike ruse, kostoja ekonomike dhe shoqërore e luftës vazhdon të rritet çdo muaj. Dhe kjo kosto po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u fshehur nga banorët e qendrave të mëdha urbane të vendit, të cilët deri tani kanë qenë kryesisht të mbrojtur nga sakrificat që kanë bërë zonat e largëta dhe rurale.
Putini nuk është në rrugën e fitores. Ukraina ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Në vend që të dorëzohej përballë një fushate brutale konsumimi, ajo ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe tani bëhet fjalë vetëm për të pritur derisa Putini të mos mund të vazhdojë më.
Rinisja e negociatave në këtë moment ndihmon vetëm palën që rrezikon të humbasë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për t’i fituar kohë. Angazhimi në bisedime me Putinin dërgon një sinjal të qartë të frikës së Europës dhe vetëm e inkurajon atë të forcojë më tej qëndrimet e tij.
Shumë udhëheqës europianë i kanë pranuar tashmë këto realitete themelore. Kryeministri polak DonaldTusk ka paralajmëruar hapur se Bashkimi Europian duhet t’i marrë seriozisht provokimet e shumta të Moskës ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Kryeministrja daneze MetteFrederiksen ka pranuar publikisht se çdo bisedim me Putinin është i destinuar të përfundojë në dështim.
Megjithatë, politikanët europianë vazhdojnë të veprojnë në mënyra që, sipas meje, duhet të krijojnë një kundërshti të fortë mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë. Ata vazhdojnë të planifikojnë negociata, sikur këto bisedime do të sjellin një zgjidhje të vërtetë diplomatike.
Ata vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie diplomatike me një regjim që ka aneksuar territor sovran dhe ka kryer krime lufte, në vend që të ndërmarrin hapin e parë të qartë: të tërheqin ambasadorët e tyre nga Moska.
Ata mbyllin sytë ndërsa regjimi shmang sanksionet, tashmë kemi arritur paketën e 21-të të sanksioneve dhe ende vazhdojmë, duke lejuar që raketa ruse, të ndërtuara pothuajse tërësisht me komponentë të ndaluar nga sanksionet, të bien mbi qytetet ukrainase.
Europa duket se nuk është ende e gatshme të ndalojë së vepruari sikur gjithçka është normale, as politikisht dhe as financiarisht. Shumë prej udhëheqësve të saj po flasin bukur, por nuk po veprojnë në përputhje me fjalët e tyre.
E kam thënë më parë dhe do ta them sërish: Ukraina duhet të fitojë. Thjesht nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e Europës dhe të botës së lirë. Më shumë se kurrë, fati i Europës është një simbol i së ardhmes së demokracisë, ndërsa Amerika po ndikohet nga administrata që janë herë të korruptuara e herë të pafuqishme.
Udhëheqësit europianë kanë një mundësi reale, për të cilën ukrainasit kanë hapur rrugën me trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre të jashtëzakonshme, për të vepruar në anën e duhur të historisë. Jo për të avancuar interesa partiake apo përfitime të ngushta kombëtare, por për të mbrojtur idetë që përcaktojnë vetë projektin europian.
Duhet guxim për të bërë gjënë e duhur në vend që përgjegjësinë t’ia lësh pasardhësit politik. Por edhe nëse mund t’i shmangen për pak kohë pasojave, shumë shpejt kostoja politike e mosveprimit do të bëhet shumë më e lartë sesa alternativat.
Lufta gjithmonë ka një çmim, përfshirë edhe një çmim njerëzor, dhe Europa ka pasur frikë ta paguajë atë. Por fatura vazhdon të rritet.
Imagjinoni realitetin që ukrainasit e kanë pranuar prej kohësh si çmimin e lirisë: sulme të përditshme me raketa dhe dronë, jetesë në një gjendje të vazhdueshme alarmi. S'besoj se banorët e Berlinit, Pragës apo Vjenës do ta pranonin kaq lehtë këtë realitet, apo se do t’i shpërblenin politikisht udhëheqësit që i çuan deri në atë pikë.
Nëse mendimi për vendin e tyre në histori nuk i shtyn drejt veprimit, atëherë i nxis ligjvënësit europianë të mendojnë për llogaritjet politike shumë më të afërta që po afrohen.
Mënyra për të shmangur zgjedhje të tilla të pakëndshme është angazhimi për fitoren e Ukrainës, ndërprerja e negociatave, shtrëngimi i mëtejshëm i makinës ushtarake ruse dhe dhënia e gjithçkaje që i nevojitet Ukrainës për të kaluar vijën e finishit, që sot.
Lavdi Ukrainës!