Më shumë se 100 persona kanë vdekur nga Ebola në Kongo

Më shumë se 100 persona kanë vdekur nga Ebola në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos (RDK) që nga shpallja e epidemisë më 15 maj, njoftuan autoritetet atje, raporton sot Associated Press.

Sipas raportit të fundit të së hënës, janë konfirmuar 550 raste të sëmundjes, nga të cilat 101 persona kanë vdekur dhe 19 janë shëruar.

Epidemia preku kryesisht provincën e Iturit, ku ndodhen më shumë se 90 përqind e rasteve, por u përhap edhe në Kivu Verior, Kivu Jugor, si dhe përtej kufirit në Ugandë.

Është një formë e rrallë e virusit Bundibugyo, për të cilin nuk ka vaksinë ose trajtim të miratuar, ndryshe nga lloji i zakonshëm i Ebolës në Zaire.Ekspertët paralajmërojnë se numri real i të infektuarve është ndoshta më i lartë sepse epidemia u zbulua vonë dhe reagimi ndaj saj ishte i vështirë. Vendasit e pakënaqur kanë sulmuar vazhdimisht punonjësit e shëndetësisë, ndërsa përleshjet e armatosura me grupet rebele pengojnë aksesin në disa zona.

“Konfliktet kufizojnë aksesin, pengojnë mbikëqyrjen dhe rrisin rrezikun e përhapjes së sëmundjeve të pazbuluara”, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Punonjësit e shëndetësisë në vijën e parë punojnë me paga të ulëta dhe pa pushim, dhe sulmet ndaj tyre e ndërlikojnë më tej luftën kundër epidemisë në një rajon që është tronditur nga konfliktet me grupe të shumta rebele për vite me radhë.