Spurs shtang New York para Trump, hera e parë që një president amerkan ndjek finalen e NBA-së

San Antonio Spurs hodhën një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion në NBA, teksa triumfuan 115-111 ndaj New York Knicks në “Madison Square Garden”, duke marrë avantazhin 2-1 në serinë finale që do të përcaktojë kampionen e re të ligës.

Protagonisti absolut i sfidës ishte Victor Wembanyama. Ylli francez udhëhoqi ekipin nga Teksasi me 32 pikë, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si lider i Spurs në momentet më të rëndësishme të sezonit.

Spurs zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer në aspektin kolektiv, me të pesë lojtarët e formacionit titullar që e mbyllën takimin me shifra dyshifrore, një tregues i qartë i forcës së grupit në këtë fazë vendimtare.

Nga ana tjetër, Knicks nuk arritën të mbrojnë parketin e tyre pavarësisht paraqitjes së mirë të Jalen Brunson-it dhe OG Anunoby-t.

Dy yjet e skuadrës realizuan respektivisht 32 dhe 28 pikë, por nuk mundën të shmangnin humbjen e parë pas një serie prej 12 fitoresh radhazi në play-off.

Përveç spektaklit në parket, ndeshja do të mbahet mend edhe për një moment historik jashtë tij. Në tribunat e “Madison Square Garden” ishte i pranishëm presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump.

Kjo është hera e parë në historinë e NBA-së që një president në detyrë i SHBA-së ndjek nga afër një ndeshje finaleje, duke i dhënë sfidës një jehonë edhe më të madhe.