'Projektet copy-paste'/ Çepa: Projektligji për AI, si 'Liza në Botën e Çudirave', gjobat nuk zbatohen...
I ftuar në emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, Erikleo Çepa, anëtar i Departamentit të Inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale, ka shprehur kritika të forta ndaj projektligjit të propozuar për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri, duke e cilësuar atë si të shkëputur nga realiteti teknologjik dhe zhvillimet konkrete në vend.
Sipas Çepës, shumica e ligjeve që miratohen në Shqipëri tentojnë të kopjojnë modele evropiane pa marrë parasysh kushtet dhe nivelin real të zhvillimit teknologjik në vend.
Çepa kritikoi gjithashtu institucionet përgjegjëse për teknologjinë dhe transformimin digjital, duke deklaruar se shumë nga projektet që prezantohen si inovative janë, sipas tij, produkte të importuara ose modele të kopjuara nga platforma ekzistuese ndërkombëtare.
Duke komentuar rolin e AKSHI-t në këtë proces, Çepa u shpreh se institucionet po ndjekin trendet globale pa pasur kapacitetet e nevojshme për t’i zhvilluar ato në mënyrë të qëndrueshme.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për kostot e projekteve teknologjike, duke treguar se në disa raste aplikacione ose zgjidhje me kosto të ulët blihen dhe më pas paraqiten me vlera shumë më të larta në projektet publike.
Çepa argumentoi se masat ndëshkuese janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë, duke qenë se shumica e platformave kryesore të AI-së operojnë sipas rregullave dhe standardeve ndërkombëtare.
Më tej, Çepa e cilësoi nismën si një përpjekje që, sipas tij, synon më shumë të ushtrojë presion mbi përdorimin e AI-së në hapësirën publike sesa të krijojë një kuadër funksional për zhvillimin e teknologjisë në Shqipëri. Ai theksoi se përdorimi i Inteligjencës Artificiale duhet të mbetet i lirë dhe në përputhje me parimet demokratike dhe standardet ndërkombëtare.
Erikleo Çepa:
Projektligjin, si Liza në botën e çudirave, domethënë me pak fjalë.
Realisht të flasim pa doreza, e kam thënë gjithmonë, e kam thënë shumë shpesh herë, shumicën e ligjeve në Shqipëri janë si Liza në botën e çudirave. Për një arsye se, del një ligj në Evropë kur janë persona të specifikuar që kontrollojnë një AI, nuk kontrollojnë AI-n, kontrollojnë datat që janë mbrapa dhe informacionet kryesore.
Në Shqipëri pretendojnë se janë në nivelet evropiane, në nivelet që kanë arritur nivelet kulmit, ku dalin në Dubai ose diku gjithmonë shqiptarët thonë kemi kapur vendin e parë, vendin e parë, vendin e parë. Po me çfarë projektesh? Projektet e kopjuara, projektet e marra nga indianët, projektet e marra nga pakistanezët që vijnë në Shqipëri, me këto projekte shkon AKSHI-t në krye thotë se do kontrollojë AI-n. Kjo është e tmerrshme.
S'kemi fare, fare, fare. Lidhja është zero. Çfarë projekti ke ti në Shqipëri që vjen AI, është copy-paste i një modeli të shëmtuar të ChatGPT-së ose Cloud-it. Shumë e thjeshtë. Ata që marrin vesh nga teknologjia qeshin ndonjëherë kur shikojnë këto gjëra. As nuk kanë çfarë thonë, nuk kanë zë të flasin.
Tani, siç e thashë... AKSHI është si puna e influencerave. Domethënë del një kryefjalë në teknologji edhe thonë hajde shkojmë dhe ne të marrim pjesë, kupton, të bëhemi pak... trendi. Të fryjmë edhe ne qiriun te torta, kupton. Të jemi dhe ne në transparencë me publikun. Po torta gjithmonë hahet nga dikush tjetër, si gjithmonë.
Po torta hahet, nga ata që duhet. Kushton gjuha teknologjike, themi që blejnë një aplikacion 10 dollarë e na e shesin 15 mijë ose 20 mijë euro. Blejnë diçka 100 dollarë, 200 dollarë, e shesin 1 milion, 2 milionë euro. Dhe kështu vazhdojnë shifrat gjithmonë. Ky është përfundimi.
Tani faktet janë në tavolinë. Megjithatë si e sheh këtë pjesën e gjobave, se direkt kaluan te gjobat këta. Deri në 150 milionë lekë gjoba. Kush e ka thënë këtë? Qeveria. Po a ishte kryeministri që hodhi një video me AI? Dje. Po, domethënë kryeministri duhet të gjobisi veten e tij me pak fjalë. Se bëri një meme me figurën e tij politike. Domethënë, është një dejavu ose karma shumë e çuditshme mes ligjit, gjobave dhe personit që vendos ligjet.
Realisht nuk ka se si të vendosësh gjoba, as nuk ka se si të funksionojë. Për një arsye se derisa disa aplikacione janë ligjërisht të pranuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve të tjera të botës. Sepse çdo aplikacion ka filtra të ndaluara kundrejt imazheve...
Edhe nuk përdor imazhe 18+, nuk përdor gjëra që mund të nxisin dhunë, përçarje, e kështu gjërash. Guidelines domethënë.
Këto janë vetëm një presion domethënë: 'Mos përdorni AI-n tek ne, mos na bëni meme, sepse ose do t'ju bllokojmë ose nuk do na pëlqejnë'. E kupton? Dhe do thonë gjobisin, gjobisin. Nuk ka çfarë të gjobisin askush. Çdokush mund të bëjë çfarë të dojë me AI-n, mund të punojë, mund të bëjë çfarë të dojë, sepse është diçka... jemi në demokraci në fund të ditës. Kur vetë Donald Trumpi ka pranuar çdo lloj memeje, shtetet e tjera nuk... nuk llogariten fare.